Babai në Drenas keqtrajton fizikisht vajzën 14-vjeçari veç pse doli të shëtis pa lejen e tij – Prokurori e liron
Jo rrallëherë fëmijët keqtrajtohen nga prindërit e tyre. Në shumicën e këtyre rasteve, viktima janë të miturit, ndaj të cilëve ushtrohet dhunë fizike e psikike. Për një rast të tillë, që ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Asllan Fazliu” në Drenas, Prokuroria ka nisur hetimet ndaj një 37-vjeçari.
Burimet e Gazeta Sinjali nga Prokuroria bëjnë me dije se i dyshuari (emër i njohur për redaksinë, që nuk do të publikohet me qëllim të ruajtjes së identitetit të viktimës së mitur) u arrestua pasi u denoncua në Polici se po ushtron dhunë fizike ndaj fëmijës së tij, vajzës 14-vjeçare. Ai po dyshohet se e ka sulmuar fizikisht të bijën, duke e goditur me gyp, me ç’rast i ka shkaktuar lëndime trupore.
Posa Policia ka marrë informacionin, njësitet policore kanë arritur ta kalin të dyshuarin, i cili është shoqëruar për në në stacion policor për intervistim.
Bazuar në dëshminë e të dyshuarit është kuptuar se ai ka ushtruar dhunë ndaj vajzës, vetëm pse ajo ka dalë të shëtis pa lejen e tij.
Pas marrjes së informacioneve të para, Prokurori i Shtetit ka vendosur që të dyshuarin ta lirojë, për t’u hetuar në procedurë të rregullt.
Ndaj tij është iniciuar rasti “Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës”, vepër kjo e sanksionuar në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sipas të cilit “Prindi, prindi adoptues, kujdestari apo personi tjetër që ushtron autoritet prindëror mbi fëmijën, i cili keqtrajton fëmijën e tillë duke përdorur masa fizike apo mendore ose shkel detyrimin e tij për përkujdesje dhe edukim të fëmijës, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet.”