Drejtori i Inspektoratit në Malishevë thotë se lokali ku dyshohet se u helmuan 61 persona punonte në kushte jo të mira

Drejtor i Inspektoratit në Komunën e Malishevës, Hafir Rexha, ka deklaruar se bashkë me policinë kanë intervistuar disa qytetarë që dyshohet se u helmuan në një lokal në këtë qytet.

Rexha tha se dyshimet janë se mbi 61 persona janë helmuar nga konsumimi i dynerit, ndërsa specifikisht dyshimet janë tek konsumimi i vezëve. Rexha ka theksuar se gjendja në lokalin ku janë ushqyer qytetarët nuk ka qenë e mirë.

“Dyshimet janë të mëdha edhe nga pronari për vezë, pro nuk mund ta konstatojmë tash…Gjendja e pacientëve nuk është e mirë”, ka thënë ai për Klan Kosova.

Për gjendjen e pacientëve, detaje ka dhënë Komuna e Malishevës. Ata të cilët po trajtohen në Infektivë, janë vizituar mbrëmë nga Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Hajdin Berisha, i shoqëruar nga drejtori i QKMF-së, Afrim Krasniqi dhe asamblistët Valon Mazreku dhe Halil Morina

“Gjendja e pacientëve të helmuar, aktualisht është stabile dhe situata është në kontroll dhe e menaxhueshme. Sipas drejtorit Berisha, bazuar edhe nga të dhënat e klinikës, gjendja e pacientëve është stabile dhe janë duke u trajtuar nga personeli i klinikës. Aktualisht në Klinikën Infektive janë të shtrirë 12 pacientë, ndërsa numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë në QKMF në Malishevë është 39. Te gjitha ekipet relevante janë të mobilizuar për menaxhimin e situatës dhe personeli shëndetësor në QKMF është në gatishmëri të plotë për të ofruar shërbimet e nevojshme”, thuhet në njoftim.

Për këtë rast është deklaruar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Ai tha se një informatë të tillë e kanë pranuar rreth orës 17:00 dhe pas kësaj njësitet e policisë kanë dalë në vend të ngjarjes, po ashtu të pranishëm ishin edhe inspektorët komunal si dhe ata nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës.

Lexo edhe:  “Kam me iu pre me thikë”, i riu kërcënon familjen, intervenon Policia

Elezaj tutje tregon se lokali tutje është mbyllur ndërsa pronari i lokalit është intervistuar nga prokurori i shtetit.

“Rreth orës 16:50 kemi pranuar informatë se disa persona kishin kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF-Malishevë, nga raportet fillestare mjekësore, dyshoheshin për helmim si pasojë e ngrënjes së ushqimit në një lokal ku shërbehen ushqime të shpejta. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe inspektorët komunal si dhe ata të Agjensisë së Ushqimit dhe Veterinës. Lokali përkohësisht është mbyllur nga këta të fundit. Në cilësinë e të dyshuarit është intervistuar pronari i lokalit dhe lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit me vendimin e të cilit është iniciuar rast “Prodhimi dhe vënja në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”. Rasti do të hetohet në procedurë të rregullt”, ka deklaruar Elezaj.