Apeli refuzon ekstradimin, lirohet ish-luftëtari i UÇK-së Dritan Goxhaj

Ish-luftëtari i UÇK-së Dritan Goxhaj është liruar nga burgu.

Siç raportohet, Gjykata e Apelit ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Shkallës Parë, duke refuzuar dhe ekstradimin e Goxhajt.

Goxhaj u arrestua më 31 korrik 2023 me urdhër arrest të lëshuar nga Gjykata Speciale e Kosovës me qëllim ekstradimin në Hagë.

Gjithashtu ai u akuzua për veprat penale “pengim i punës së zyrtarëve dhe frikësim i dëshmitarëve sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”

Njoftimi për media:

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me lejimin e ekstradimit ndaj shtetasit me iniciale Dritan Goxhaj nga Shqipëria në Kosovë (Dhomat e Specializuara të Kosovës).

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1204 Akti, datë 19.09.2023, ka vendosur:

Pranimin e kërkesës .
– Lejimin e ekstradimit të shtetasit shqiptar Dritan Goxhaj nga Shqipëria në Kosovë (Dhomat e Specializuara të Kosovës).

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga shtetasi me iniciale Dritan Goxhaj, i cili kërkoi prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë, deklarimin e pafajshëm dhe moslejimin e ekstradimit nga Shqipëria në Kosovë (Dhomat e Specializuara të Kosovës).

Në përfundim të gjykimit në apel, sot më datë 10.10.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar z. Genti Shala, vendosi:

-Ndryshimin e vendimit Nr. 1204 Akti, datë 19.09.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
– Rrezimin e kerkeses per ekstradimin e shtetasit Dritan Goxhaj nga Republika e Shqiperise ne Republiken e Kosoves.
– Heqjen e mases se sigurimit “arrest ne burg “, per shtetasin Dritan Goxhaj, caktuar me vendimin Nr. 1123 Akti, date 20.07.2023 te Gjykates se Shkalles se Pare te Juridiksionit te Pergjithshem Tirane.
-Urdherohet lirirmi i shtetasit Dritan Goxhaj, nese nuk mbahet per ndonje veper tjeter penale.

Lexo edhe:  Reduktime të energjisë elektrike në këto vende

Avokatët ankimuan vendimin në Apel në fillim të Tetorit për shkak të çështjes me natyrë politike. Mbrojtja theksonte se mungonte nënshkrimi i ministrit të drejtësisë së Kosovës për t’i hapur rrugë ekstradimit drejt Holandës, duke thënë se është një vend me të cilin Shqipëria nuk ka marrëveshje.

Goxhaj u arrestua më 31 korrik me urdhër të Gjykatës Speciale, me pretendimin se ka publikuar emrat e disa dëshmitarëve në një proces gjyqësor. Ai akuzohet akuzohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre.

Prokuroria e Specializuar e Kosoves e akuzon Goxhajn për veprat penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Kosovës.

45-vjecari mohoi akuzat, ndërsa avokatët e tij e kanë quajtur arrestimin e tij në 31 korrik në Tiranë, politik.