Dimal Basha: Këta të PDK-së prej Drenicës kanë dalë në Prishtinë, e nuk e votojnë marrëveshjen për ngrohtoren e kryeqytetit

Deputeti i VV-së, Dimal Basha, ka komentuar në emisionin DPT te Fidani, në ATV, refuzimin e Kryeministrit Albin Kurti për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve duke iu kërkuar që së pari t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

Sipas deputetit Basha, ky nuk është kushtëzim. Ai ka thënë se deputetët po duan të bëjnë pyetje në interes të qytetarëve ndërsa nuk i votojnë marrëveshjet, që po ashtu janë në të mirë të qytetarëve të Kosovës, shkruan Reporteri.net.

Për marrëveshjen për ngrohtoren e Prishtinës, Dimal Basha iu drejtua deputetëve të PDK-së për të cilët tha “kanë dalë prej Drenice në Prishtinë” dhe prapëseprapë refuzojnë ta votojnë marrëveshjen në fjalë.

“Nuk është kushtëzim për shkak se unë vlerësoj se si deputet nuk mundesh me pasë pyetje që e shpreh interesin e qytetarit mbrenda Kuvendit të Republikës derisa të njëjtin Kuvend refuzon me votu marrëveshje përafërsisht deri 350 milionë euro”.

“Është marrëveshja e KOSTT-it për përmirësimin e rrjetit energjetik. E kemi ngrohtoren e Prishtinës, se krejt këta të PDK-së prej Drenicës kanë dalë në Prishtinë, lypin me u nxeh dimrit por nuk e votojnë marrëveshjen që e rritin kapacitetin e ngrohtores në Prishtinë. E ki energjinë solare, 80 milionë marrëveshje ndërkombëtare”, ka thënë ai.

“50 milionë të tyre janë grant, falas. E kemi marrëveshjen me Danimarkën për me ia dhonë burgun me qera. Jemi taku me Ministrin e Drejtësisë në Danimarkë dhe jemi zotu ta votojmë marrëveshjen ndërkombëtare. Të njëjtit deputetë janë zotu para Ministrit të Drejtësisë në Danimarkë, e këtu nuk e votojnë. Çka po ta merr mendja, si dalim na para Danimarkës tash”, tha Dimal Basha.

Lexo edhe:  Skenë si në filma: Policia arreston tre persona të dyshuar për fajde dhe detyrim, publikon pamjet