E dhimbshme: I riu që vdiq pasi ra nga dritarja e banesës në Gjilan vuante nga epilepsia
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në rrugën ‘Abdulla Presheva’ në Gjilan, ku një i ri ka rënë nga dritarja e banesës dhe fatkeqësisht s’ka arritur që të mbijetojë. I nderi u dërgua me urgjencë në spital, por aty vetëm u konfirmua vdekja e tij, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Leonard Starabajën, 23-vjeçar, i cili vuante nga sëmundja e epilepsisë.
Ky rast ka pikëlluar gjithë familjen, të cilët kanë njoftuar se Leonardit sot do t’i jepet lamtumira e fundit, në orën 16:30.
Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili tha se viktima dyshohet se ka rënë nga dritarja e banesës së tij.
“Ju njoftojmë se sot me datë 08.08.2023 rreth orës 15:54 policia e Kosovës në Gjilan është njoftuar se në rr. “Abdulla Presheva” – Gjilan është gjetur një person i shtrirë në rrugë në gjendje të rëndë shëndetësore. Viktima ( M.K.SH 22 vjeqar) dyshohet të ketë rënë nga dritarja e banesës së tijë, I njëjti është dërguar në Qendrën emergjente në Gjilan me urgjencë i përcjell nga patrulla e Policisë, ku edhe përkundër përpjekjeve të mjekve për ti ofruar ndihmë mjeku kujdestar ka konfirmuar se ai ka ndërruar jetë”, tha ai.
Sipas Hashanit, me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti është cilësuar ‘Vdekje e dyshimtë’.
“Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet relevante nga stacioni policor i Gjilanit dhe Hetuesit rajonal të policisë së Kosovës. Rrethanat se si ka ardh deri te ky rast i rëndë janë duke u hetuar nga policia e Kosovës në bashkëpunim me prokurorin e shteti . Prokurori ka urdhëruar që trupi i viktimës të dërgohet në IML në Prishtinë, dhe rasti është cilësuar “Vdekje e dyshimtë”, tha Hashani për Sinjalin.