Korriku, muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë

Shërbimi për Ndryshimet Klimatike, një degë e programit hapësinor të Bashkimit Evropian, thotë se muaji korrik i këtij vitit ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Tokë. Temperatura mesatare globale e muajit korrik ishte 16,95 gradë Celsius dhe sipas të dhënave 0.43 gradë celcius më e lartë sesa rekordi paraprak i regjistruar në korrik të vitit 2019. Ekspertët thonë se këto temperatura do të kenë pasoja të të rënda si për njerëzit, ashtu edhe për planetin.

Muaji korrik i këtij viti ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Tokë. Në këtë përfundim ka arritur organizata evropiane që monitoron klimën, Copernicus.

Sipas të dhënave të fundit, muaji korrik ishte 1,5 gradë Celsius më i ngrohtë, sesa në epokën paraindustriale.

 

Temperatura mesatare globale e muajit korrik ishte 16,95 gradë Celsius dhe sipas të dhënave 0.43 gradë celcius më e lartë sesa rekordi paraprak i regjistruar në korrik të vitit 2019.

Shërbimi për Ndryshimet Klimatike, një degë e programit hapësinor të Bashkimit Evropian thotë se normalisht rekordet globale të temperaturës thyhen me të qindtat ose një të dhjetën e shkallës, por kjo diferencë e këtij viti është e pazakontë.

“Java e parë e muajit korrik ka pasur dy ngjarje ekstreme të temperaturës. Dhe në atë kohë, Shërbimi për Ndryshimet Klimatike iu referua kësaj si temperatura më lartë e regjistruar ndonjëherë. Tani mund të themi se jo vetëm java e parë e korrikut ishte më e ngrohta e regjistruar ndonjëherë, por tre javët e muajit korrik ishin më të nxehtat e regjistruara dhe anomalia në lidhje me temperaturën e mëparshme rekord për korrikun është aq e madhe saqë mund të themi me besim se është temperatura më e larta e regjistruar ndonjëherë në muajin korrik”, thotë Carlo Buontempo, nga Shërbimi për Ndryshimet Klimatike, Copernicus.

Lexo edhe:  Ardhja e mërgimtarëve, kjo është gjendja në pikëkalimet kufitare

Ekspertët thonë se këto temperatura do të kenë pasoja të rënda si për njerëzit ashtu edhe për planetin e ekspozuar ndaj ngjarjeve ekstreme gjithnjë e më të shpeshta dhe intensive.

Të dhënat e publikuara nga Shërbimi për Ndryshimet Klimatike tregojnë se muaji i kaluar ishte aq i nxehtë sa ishte 0,7 gradë Celsius më shumë se mesatarja e korrikut nga viti 1991 deri në vitin 2020.

Oqeanet e botës ishin gjysmë gradë Celsius më të ngrohtë se 30 vitet e mëparshme dhe oqeani Atlantik i Veriut ishte 1,05 gradë Celsius më i nxehtë se mesatarja.

Antarktida vendosi nivele rekord për akullin e detit, 15% nën mesataren për këtë periudhë të vitit.

“Është një rekord mahnitës dhe e bën mjaft qartë se korriku është muaji më i ngrohtë në Tokë në dhjetë mijë vjet,” thotë Stefan Rahmstorf, një shkencëtar për klimën në Institutin e Potsdamit në Gjermani.

Zoti Rahmstorf citon studime që përdorin unazat e pemëve dhe tregues të tjerë dhe sipas tij kohët e tanishme janë më të ngrohtat që nga fillimi i epokës së holocenit, rreth 10000 vjet më parë.

Të gjithë këto të dhëna duket se detyruan Sekretarin e Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres të deklaronte:

“Ndryshimi i klimës është këtu. Është e frikshme dhe është vetëm fillimi. Epoka e ngrohjes globale ka përfunduar. Epoka e vlimit global ka ardhur.”/VOA