“Hashim Thaçi ka qenë veç turist në luftë”, Lushtaku komenton deklaratën e Haradinajt

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku e ka komentuar deklaratën e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se Hashim Thaçi në luftë ka qenë vetëm turist.

Lushtaku e ka quajtur deklaratën të pavërtetë, duke shtuar se informatat më të sakta për veprimtarinë e Thaçit në luftë i ka rrethi i këtij të fundit.

“Besoj që Ramush Haradinaj nuk e ka informatën për Hashim Thaçin. Informatat më të sakta i ka rrethi që ka bashkëpunuar dhe ka bashkëvepruar Hashim Thaçi, i cili është tashmë edhe para Gjykatës së Hagës padrejtësisht. Në këtë fushë nuk dua të zgjerohem pasi që dihet se ka një aktakuzë edhe pse nuk ndërlidhet me këtë gjë. Krejtësisht të pavërteta ato çka i ka thënë. Por në këtë pjesë ne e dimë shumë mirë që ai ka marrë pjesë në betejë dhe më së shumti e dinë bashkëluftëtarët e tij”, ka thënë Lushtaku në InfoNata në Tëvë 1.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në emisionin Respublika në Tëvë 1 ka folur për kohën e luftës dhe rolin që e ka pasur ish-drejtori politik i UÇK-së, Hashim Thaçi gjatë asaj kohë.

Haradinaj ka thënë se ish-presidenti Thaçi dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi kanë qenë “turistë” në UÇK.

“Zoti Thaçi turist është, më falni në shprehje. Turist është, ai ka qëndru në Drenicë, ai ka qëndru në Rogner, ka qëndru diku tjetër. Zoti Rrustem Mustafa turist është. Ka luftuar tre javë Remi në Llap. Ose tjetri ose tjetri, turista janë në UÇK, o djem. E kanë bërë të përkohshëm, përkohësisht hin e dil. Nuk jam duke ju fol pahiri, por po ju fol dikush i cili që nga data 24 mars 1998, shkoni le t’i marrin hetuesit e Kosovës, prokurorët, le t’i hijnë rend Dukagjinit, le t’i pyesin katun për katun: A jeni kanë në luftë, sa vet jeni kanë, kur ja keni nis, çka ka ndodhë me ju?”, ka thënë Haradinaj.

Lexo edhe:  Theret me thikë një i mitur te shkolla e mjekësisë në Ferizaj