Ministria e Financave ka një njoftim me rëndësi për pensionistët

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka bërë të ditur se ka filluar hapjen e Zyrave të Pensioneve nëpër lokalitete të ndryshme, me qëllim të ofrimit të shërbimeve për pensionistët në qendrat më të vogla të banimit.

Sipas njoftimit, këto zyre synojnë shmangien e udhëtimit të pensionistëve nga këto lokalitetet në qytetet e mëdha dhe marrjen e shërbimeve afër vendbanimit të tyre.

“Sot është hapur zyra e parë e tillë në Mamushë, në bashkëpunim me Komunën e Mamushës, komuna e cila ka siguruar hapësirën e nevojshme për këtë zyre”, thuhet në komunikatën e MF-së.

“Kjo zyre fillimisht do të jetë e hapur së paku 2 ditë në muaj me orar të plotë dhe do të ofrojë shërbime për mbi 300 pensionistë që gjinden në këtë Komunë si dhe në fshatrat përreth kësaj komune siç Medveci, Napëërbishti dhe fshatrat tjera”, thuhet tutje.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të vazhdojë hapjen e zyrave të tilla edhe në komunat tjera të Republikës së Kosovës, për të lehtësuar ofrimin e shërbimeve për të gjithë pensionistët”, ka njoftuar kjo ministri.

Lexo edhe:  FSK-ja shpërndan dhurata për fëmijët, me rastin e festave të fundvitit