Nuk iu ndahet sherri dasmorëve në Prizren, brenda ditës Policia u shkon dy herë në derë: Sekuestron armë dhe arreston një person

Çdo ditë raportohet për raste të shumta të gjuajtjeve me armë zjarri nëpër ahengjet familjare në të gjitha qytetet e Kosovës. Për një rast të tillë raportoi edhe sot, ku në lagjen Bajram Curri në Prizren u arrestuan dy persona dhe u sekuestruan dy armë zjarri.

Njësitet policore mëngjesin e sotëm dolën në vendin e ngjarjes pasi morën informacione se dikush nga dasmorët posedon një armë zjarri. Me të shkuar në shtëpinë ku po mbahej ahengu, policët kanë takuar të dyshuarit, të cilit i kanë sekuestruar armën, e më pas atë e kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

I dyshuari u lirua në procedurë të rregulltë, por ndaj tij u hap rasti për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armës’.

Ndërsa disa orë më vonë, Policia u detyrua që sërish të shkojë si mysafir i paftuar në dasmën e njëjtë në të cilën shkuan në mëngjes. Kësaj here nga atje u dëgjuan të shtëna me armë zjarri, të cilat kanë ngjallur frikë e shqetësim te banorët përreth.

Patrulla e Policisë që shkoi në shtëpinë ku po mbahej ahengu, kanë takuar personin e dyshuar nga i cili kanë sekuestruar armën që dyshohet se e përdori në rast. Po ashtu ai u arrestua dhe u shoqërua në stacion policor për intervistim.

Togeri i Policisë së Kosovës në Prizren, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur për Sinjalin se pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Bytyqi, tha se për ahengun e njëjtë janë iniciuar dy raste të ndara për posedim të armës dhe përdorim të saj. Kujtojmë se mbajtja e armëve pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim ose me gjobë.

Lexo edhe:  “Ka të sëmurë e të lodhur, s’e dimë kur kthehemi”, haxhinjtë ankohen për papërgjegjësi nga BIK-u