Mërgimtari i familjes Dushi e pëson keq nga hajnat, s’i gjen 16 mijë eurot që i la në shtëpinë e tij në Klinë

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje.

Rastet më të shpeshta ndodhin në shtëpitë e mërgimtarëve, që janë cak i hajnave pothuajse çdo ditë, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu e ka pësuar edhe familja Dushi nga fshati Budisalc i Klinës, të cilët jetojnë në mërgim.

Sinjali mëson se pronari i shtëpisë ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovë, për shkak se nuk i ka gjetur në shtëpi shumën prej 16 mijë eurosh, të cilat i kishte lënë në Kosovë herën e fundit që ishte në pushim.

Fillimisht ai ka pasur dyshime se paratë kanë mundur të vidhen nga punëtorët e një kompanie pastrimit të cilët kanë pastruar shtëpinë e mërgimtarit, ku ndodhej e vetme nëna e moshuar. Por dyshimi i tij u largua, pasi u kontrolluan të gjithë punëtorët e kompanisë së aranzhuar.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.

Lexo edhe:  Tërmeti bie teksa thirret ezani, momentet dramatike brenda xhamisë në Turqi