Suspendohet për gjashtë muaj mësimdhënësi që dyshohet se e puthi nxënësen e mitur në Deçan

Një rast i tmerrshëm i sulmit seksual është publikuar dje dhe dyshohet të ketë ndodhur në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në Deçan, ku mësimdhënësi V. S është filmuar fshehurazi duke e puthur një nxënëse të klasës së shtatë.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar drejtori i Arsimit në komunën e Deçanit, Besnik Hulaj.

“Po është suspenduar për gjashtë muaj, dhe i njëjti do të kaloj në komision disiplinor”, ka thënë Hulaj.

Kjo ngjarje e tmerrshme që ka ndodhur brenda hapësirave të shkollës, i ka kushtuar me arrestim dhe ndalim mësimdhënësit të dyshuar.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, e ka konfirmuar se ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit.

“Prokurori i shteti ka marrë veprime hetimore për ndriçimin e plotë të kësaj çështje penale, i cili ka shkuar në stacionin policor dhe ka urdhëruar sekuestrimin e telefonit të të pandehurit. Me urdhër të prokurorit të shtetit, personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Sulm Seksual”.

Prokurori i shtetit brenda afatit ligjor, ndaj të pandehurit do parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit  e  cila do të mbahet sot”,  ka thënë  Nikçi.

Lexo edhe:  E dhimbshme: Vdes papritur 17-vjeçari