Gruaja i hyn grushte burrit në Malishevë, ia kthen edhe ai – përfundojnë të dy në Polici

Telashet në familjet kosovare nuk kanë të ndalur. Përditë në Polici raportohen numër i madh rastesh, ku konfliktet mes bashkëshortëve shpesh përfundojnë edhe me dhunë fizike e psikike, për çka nevojitet ndërhyrja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur të martën në një familje në Kijevë të Malishevës, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë herë, një burrë e një grua përfunduan në Polici pasi u rrahën me njëri – tjetrin si pasojë e disa problemeve që kanë mes vete dhe nuk po arrijnë t’i zgjidhin.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti dyshohet të ketë ndodhur në orët e mbrëmjes dhe nisi pas një zënke, e cila pasoi me dhunë fizike, ashtu që të dy pësuan lëndime trupore.

Fillimisht gruaja e dyshuar e kishte rrahur burrin me grushte, e më pas e ka goditur edhe djalin e tyre. Për të mos mbaruar me kaq edhe bashkëshorti i saj dyshohet se e ka sulmuar fizikisht.

Ngjarja që ndodhi menjëherë u denoncua në Polici, ndërkohë që burri u ankua se ai ishte viktimë e dhunës së ushtruar nga bashkëshortja e tij.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit ndaj të dyshuarve kanë nisur hetimet për veprën penale “Dhunë në familje”.

Burri i dyshuar është ndaluar për 48 orë, ndërsa gruaja është dërguar për kontroll mjekësor.

Lexo edhe:  Kryqi i Kuq ka folur me familjarët e policëve, kjo është gjendja e tyre shëndetësore