Pronari i lokalit në Dragash e bën llom qiraxhiun, 58-vjeçari kërkon ndihmë në spital

Mosmarrëveshjet mes qytetarëve shpesh herë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në dhunë, duke u përleshur fizikisht mes vete, raporton Gazeta Sinjali.

Një konflikt ka ndodhur dje në fshatin Restelicë të Dragashit, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht qiraxhiun e tij.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjithçka dyshohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshjeje mes palëve lidhur me lokalin që është lëshuar me qira, me ç’rast 65-vjeçari dyshohet se ka eskaluar në dhunë fizike.

Si pasojë e kësaj, 58-vjeçari ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Dragash, ndërkohë që ka dhënë dëshminë e tij edhe në organet e hetuesisë.

I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Lexo edhe:  Procedurat: Familjarët nuk po mund t’i marrin trupat e dy të rinjve kosovarë që vdiqën në Hungari