“Do të kushtoj me jetë”, Ikballe Huduti denoncohet për kërcënim, shkak debati për fenë
Emri i Ikballe Hudutit ka qenë shumë shpesh i përfolur në mediat tona për shkak të deklaratave të saj, që lidhen sidomos me fenë.
Ajo ftohet shpesh në emisione të ndryshme, ku flet për fenë Islame, e jo rrallëherë ka pasur edhe përplasje verbale në studiot televizive. Një rast i tillë ka ndodhur edhe së fundmi, kur Huduti është denoncuar në Polici për kanosje nga prezantuesi i një emisioni, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se bëhet fjalë për Sadri Imerin, i cili prezanton një emision, në të cilin Huduti kishte qenë e ftuar dhe kishin pas një debat mes tyre për shkak të temës që lidhej si shumë herë të tjera me religjionin.
Sinjali mëson se Imeri e ka denoncuar Hudutin për kanosje, pasi siç ka deklaruar ai, e njëjta e kishte kërcënuar edhe me jetë, për shkak të një pjesë të këtij debati, të cilën ajo kishte kërkuar që të largohej.
Bazuar në dëshminë e tij, të dhënë para hetuesve policorë, Huduti e ka kërcënuar në vazhdimësi me mesazhe në numrin e tij kontaktues, prandaj ai ka vendosur ta raportojë rastin në Polici.
Si rezultat i denoncimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve në drejtim të veprës penale “Kanosje” dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.