Tentim vrasje në Podujevë, dikush e gjuan llapjanin në oborr – po trajtohet në QKUK

Një tentim vrasje ka ndodhur gjatë natës së të shtunës në një fshat të komunës së Podujevës. Si pasojë e një plumbi, një person ka marrë plagë dhe i njëjti po trajtohet në QKUK. Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se për rastin në fjalë janë intervistuar tre dëshmitarët.

Nata e 25 shkurtit mund të ishte fatale për një person në Peran të komunës së Podujevës. Teksa po shijonte pasditen në oborrin e shtëpisë së tij, i ndodhi një e papritur.

Dikush me armë qëlloi në drejtim të tij. Vetëm pak orë pas ngjarjes, gjendja e të plagosurit duket të jetë stabile.

Të paktën kështu ka bërë të ditur për televizionin Dukagjini, Drejtori i Klinikës Emergjente në Prishtinë Naser Syla.

“Personi në fjalë është sjellë mbrëmë në Qendrën e Emergjencës. Gjendja e tij është stabile dhe për momentin i plagosuri gjendet për trajtim në repartin e Klinikes së Kirurgjisë Torakale”, ka deklaruar Naser Syla-Drejtor i Emergjencës.

Lidhur më këtë rast që kishte ndodhur gjatë orës 20:50, të natës së të shtunës, Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se janë intervistuar tre dëshmitarët.

Sipas raportit të Policisë, njësitë relevante policore dhe njësiti K-9 kanë dal në vendin e ngjarjes derisa për tre dëshmitaret e rastit, është njoftuar prokurori dhe rasti është në procedurë hetimore.

Lexo edhe:  Xhelozia motiv i dhunës në familje, 39-vjeçarja nga Fushë Kosova e denoncon bashkëshortin në Polici