Ky është gjinekologu që u intervistua si i dyshuar për vdekjen e pacientes në ordinancën ‘Aorta’ në Ferizaj

Sot u raportua për vdekjen e një 41-vjeçareje, që dyshohet se humbi jetën pasi kreu një intervenim gjinekologjik në ordinancën private “Aorta” në Ferizaj.

Të ndjerës iu përkeqësua gjendja shëndetësore dhe fatkeqësisht nga kjo ordinancë u dërgua pa shenja jete në Spitalin Rajonal. Lidhur me këtë rast, Policia ka intervistuar dy mjekë, gjinekologun që kreu intervenimin, si dhe një anesteziolog.

Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se mjeku  që u mor në pyetje në cilësinë e të dyshuarit është gjinekologu Heroid Arifi, i cili ka refuzuar të deklarohet lidhur me rastin, përkundër insistimit të Sinjalit. Në një përgjigje të shkurtër, ai ka kërkuar që informacionet të merren nga Policia dhe më nuk është përgjigjur.

Përveç tij, në Polici ka dhënë deklaratë edhe një anesteziolog, Muhamet Fazliu, i cili sipas informacioneve që ka Sinjali, ka qëlluar rastësisht në ordinancë kur ka ndodhur rasti dhe bashkë me Arifin, ia kanë dhënë ndihmën e parë pacientes.

Bazuar në dëshminë e gjinekologut, e ndjera  për një moment ka pasur një shtrëngim në gjoks dhe më pas i kanë dhënë ndihma e parë në ordinancë. Nga aty, ajo është transportuar për në Emergjencën e Spitalit Rajonal, por veçse kishte vdekur.

Viktima Sebahate Lama u dërgua pa shenja jete në Emergjencë, ku pas ekzaminimeve për shenja vitale, ekipi mjekësor e konstatoi vdekjen e saj.

Lidhur me rastin është vënë në dijeni Policia dhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në IML për obduksion, që të zbulohet shkaktari i vdekjes së saj.

Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, teksa veprimet e tjera hetimore do të ndërmerren posa të zbardhen rrethanat në të cilat ka vdekur e ndjera.

Lexo edhe:  Rritet çmimi i karburanteve në tregun kosovarë

Për vdekjen e saj kanë njoftuar edhe familjarët, teksa varrimi i saj do të bëhet nga ora 16:00.