E rëndë: 69-vjeçari tenton ta ngufatë gruan e tij, përfundon në Policinë e Kosovës

Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje.

Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë. Shumë herë ka pasur raste të tmerrshme të dhunës në familje, që kanë përfunduar edhe tragjikisht, siç ndodhi me 35-vjeçaren nga Lipjani, raporton Gazeta Sinjali

Në mesin e shumë rasteve që janë raportuar në 24 orët e fundit në Kosovë është edhe një ngjarje e rëndë që ka ndodhur në rrugën “Drenica” në Fushë Kosovë. Si në të shumtën e rasteve, edhe këtë herë viktimë është një grua, e cila është në hall me bashkëshortin e saj, 69-vjeçar, i cili përveç dhunës psikike, dyshohet se e ka sulmuar edhe fizikisht.

Sinjali ka mësuar se rasti ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku pas një mosmarrëveshje mes tyre, burri i dyshuari Xh.H., kishte eskaluar në dhunë fizike, duke tentuar ta ngufatë bashkëshorten e tij 63-vjeçare, të cilës i ka shkaktuar shqetësim e frikë. Përballë kësaj situate, në vetëmbrojtje gruaja iu është vërsulur bashkëshortit të saj, duke tentuar për ta ndalur.

Për pasojë, të dy përfunduan në Emergjencë e më pas u shoqëruan në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre para hetuesve policorë në lidhje me rastin. Si rezultat i këtij denoncimi, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Dhunë në familje” dhe dorëzimin e kallëzimit penal.

Lexo edhe:  Nisen 5 shtëpi të reja në Skenderaj, u dëmtuan nga vërshimet