Përleshje mes disa të rinjve në lagjen Dardania në Prishtinë, theren me thikë dy persona

Përleshjet fizike në të cilat përfshihen të rinjtë janë të shpeshta në vendin tonë. Kjo është shndërruar në një dukuri shqetësuese duke u rrezikuar kështu siguria publike.

Një rast i tillë ka ndodhur në lagjen Dardania në Prishtinë, ku si pasojë e një përleshjeje, dy persona janë therur me thikë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se dy viktimat janë dërguar atje për ndihmë mjekësore, si pasojë e plagëve që dyshohet se morën nga goditjet me mjet të morehtë.

Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e dy viktimave është stabilizuar dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetë.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme dhe kanë shoqëruar të dyshuarit në stacion policor.

Të dyshuarit, të moshës së mitur, kanë dhënë dëshmitë e tyre lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Lexo edhe:  Babë e bir rrëmbejnë një 31-vjeçar në Prishtinë, pretendojnë se ua ka borxh 17 mijë euro