Sot i jepet lamtumira e fundit futbollistit 17-vjeçar që vdiq në fushë

Mitrovica dhe gjithë Kosova është tronditur të shtunën nga vdekja e yllit të futbollit kosovar, Erion Kajtazi. Erioni, i cili ishte pjesë e Kombëtares së Kosovës 017 dhe lojtar i Trepça ’89, ka ndërruar jetë në fushën e lojës si pasojë e një ataku kardiak.

Axha i të ndjerit, Shkumbin Kajtazi, ka bërë me dije se lamtumira e fundit Erionit pritet t’i jepet sot në orën 14:30 në varrezat e fshatit Zasellë të Mitrovicës.

Kujtojmë se Erion Kajtazi, vdiq dje gjatë ndeshjes futbollistike, ku në minutat e fundit të pjesës së parë ra pa ndjenja në tokë.

Në lidhje me ngjarjen e rëndë, ka reaguar edhe FFK-ja ku tha se stafet mjekësore të të dyja klubeve kanë intervenuar me shpejtësi, por përkundër përpjekjeve, Erioni s’ka dhënë shenja jete.

Lexo edhe:  Suedia i çon sinjale pozitive Kosovës për liberalizimin e vizave, përmend këtë muaj si afat kur kjo çështje do të rishikohet