Po luftonin bashkë, ushtarja e UÇK-së rrëfen përjetimet pas vrasjes së vëllait në luftë

Pak ditë pa mbushur 18 vite jetë, Demrije Salihaj e njohur si  “Demirel” ditëlindjen e festoi duke iu bashkuar Forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1998.

Nga përdorimi i armëve, vrasja e vëllaut të saj, lufta përball forcave serbe, Salihaj rrëfen për Insajderin ndër momentet më të rënda të luftës.

Mëngjesi për ushtarët e ushtaret e UÇK-së agonte me detyrat që eprorët caktonin për secilin veç e veç, ndërkaq respekti i ushtarëve për gratë luftëtare, ka qenë mbështetja më e madhe që “Demirel” bashkë me bashkëluftëtaret e tjera morën përgjatë ditëve të luftës.

“Unë kam qenë police ushtarake, edhe në mëngjes i kemi pasë detyrat e caktume ku i kemi zbatuar me pikmëri çka na ka ba mu ndi mirë ka qenë respekti i luftëtarëve ndaj neve luftëtetareve, na kanë pritë mirë, kemi ba roje e luftime kur ka pas nevojë, ska qenë e lehtë por jemi adaptuar”, tha ajo.

Salihaj në ditën kur forcat e armatosura serbe ia vranë vëllaun ushtarë, kishte qëndruar rreth 2 orë me të. Po atë ditë, I njëjti i tha asaj se dëshira e tij është të vdes për Kosovën.

Pikërisht 5 orë më vonë, u konfirmua se ai kishte rënë dëshmorë teksa ajo po priste sulmin e radhës nga serbët.

“Një ndër momentet ka qenë vrasja  e vëllaut, realisht unë atë ditë fatbardhësisht më ra me ndejt 2 orë dhe biseduam shumë me të edhe më tha që dëshira ime është të vdes për këtë vend u në I thash kemi kohë ende mu duk herët se dinim sa po zgjat lufta, mas 5 orëve u konfirmua vrasja e tij, ishim me shtab gueril në Mollopolc”, pohoi Salihaj për Insajderin.

Lajmi për vrasjen e vëllaut të saj i shokoi të gjithë ushtarët e tjerë, kjo pasi ai ishte dëshmori i parë i asaj pike strategjike.

Lexo edhe:  “Luan Mustafa po e dojke paren ma së forti”, rrëfehet viktima që doktori ia kishte kërkuar 1700 euro për t’ia operuar nënën në spitalin e Gjilanit

“Motra ime ka qenë motër medicinale në Jezerc ishim të gjithë në fshat nuk është prit, ka qenë emocion rëndë ishte ndër dëshmorët e parë të pikës së Rances, jo prej neve por për të gjithë ishte njëfarë ulje  morali, por e dinim qëllimin qe lufte pa gjak nuk ka” , u shpreh ajo.

Ajo me nostalgji kujtoi edhe momentet e ditëve të para të luftës ku vëllau bashkë me eprorët e tjerë i mësuan se si ti përdorin armët.

“Armët jemi mësu me i përdor ende pa hy në luftë, siç tregova prej vëllaut ai na ka mësu por edhe në javën e parë eprorët i kanë mësu luftëtarët ti përdorin armët”, tha Salihaj.

Salihaj tregoi se në luftë, dy anëtarë të familjes së saj u njohën edhe me dy ushtare të UÇK-së me të cilat dashurinë e tyre  e kurorëzuan pas përfundimit të luftës, pasi në ato ditë kritike që të katërt ishin në mbrojtje të atdheut.

Për punën në OVL-në e UÇK-së në Shtime, Salihaj tash është në vitin e fundit të mandatit si kryetare aty, ajo tha se përmes organizatës janë munduar të mbrojnë vlerat e luftës.