E tmerrshme: As sapunë e as çarçafë në disa klinika të QKUK-së

Dyshekë me shenja gjaku – disa të mbuluar me çarçafë e disa edhe pa ta.

Këtë pamje pa ekipi i Radio Evropa e Lirë në disa dhoma pacientësh të Klinikës së Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

REL qëndroi atje dy ditë në gjysmën e dytë të nëntorit.

“Dhe, nëse shkon në banjë me karrocë, nuk mund të hysh brenda, sepse dyert janë të ngushta. Aty nuk ka as letër, as sapun… Ne vetë duhet t’i blejmë”, tha një pacient i shtrirë në repartin e ortopedisë të kësaj klinike.

Disa pjesëtarë të stafit, që nuk deshën të identifikohen, pranuan se ka mungesa të gjësendeve – sipas tyre – të domosdoshme, dhe thanë se ato ua vështirësojnë punën.

“Nuk kemi as sapunë, as çarçafë”, tha një infermiere.

“Kirurgjia duhet të ketë çarçafë… [Pacientët] kanë rrjedhje të drenazhit, të qeses urinare… Nuk ka mundësi të ruhet një çarçaf, kur pacienti e ka gjithë atë drenazh”, tha ajo.

Në të njëjtat ditë, REL vizitoi edhe Klinikën e Pulmologjisë në QKUK, ku në disa dhoma pa situatë të ngjashme.

“Kur kemi ardhur këtu, krevati ka qenë pa jastëk e pa mbulesë”, tha Lule Dragusha, e cila po kujdesej për nënën e saj të shtrirë në këtë klinikë.

“Na kanë thënë se duhet t’i sjellim nga shtëpia. Nuk e kemi ditur se si shkon kjo punë dhe i kemi sjellë”, tha ajo.


Kryeinfermierja e Klinikës së Pulmologjisë, Dafina Ramaj, i mohoi këto pretendime.

“Nëse dikush nga pacientët dëshiron t’i ketë çarçafët e vet, mund t’i sjellë, por duhet të jenë të bardhë. Përndryshe jemi të furnizuar mjaftueshëm”, tha Ramaj për REL-in.

Lexo edhe:  Bastisje në një shtëpi në Ferizaj, Policia e kap 24-vjeçarin me armë ilegale

Një nga dhomat e Klinikës së Pulmologjisë, ku shihet se pacientët kanë sjellë me vete çarçafët. Nëntor 2022
Në mes të nëntorit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) – përgjegjëse për inspektime të ndryshme sanitare në Kosovë – urdhëroi mbylljen e disa hapësirave në QKUK për shkak të, siç tha, mosplotësimit të kushteve higjienike-sanitare.

“Janë mbyllur këto hapësira: Klinika e Fiziatrisë, dy dhoma të Klinikës së Dermatovenerologjisë dhe reparti i oftalmologjisë”, konfirmoi Inspektorati Sanitar i AUV-it për REL-in.

Shërbimet e tyre janë bartur në klinika të tjera, derisa kushtet në hapësirat e mbyllura të përmirësohen.

Sipas AUV-it, në disa klinika të QKUK-së ka edhe “mungesë të ujit të ngrohtë dhe të mjeteve për higjienë personale” – gjëra të cilat i vërejti edhe vetë ekipi i REL-it.

Si masa për rritjen e nivelit të higjienës, AUV-i, mes tjerash, kërkoi që të menaxhohet frekuentimi i vizitorëve në hapësirat e QKUK-së, si dhe të sigurohet ujë i ngrohtë aty ku mungon.

Nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) – institucion përgjegjës për menaxhimin e aktiviteteve dhe blerjeve në QKUK – nuk dhanë përgjigje direkte në pyetjen se përse situata me higjienën në këtë institucion është e tillë.

“Sektori i prokurimit në QKUK ka iniciuar procedura për furnizim me material higjenik, për nevojat e klinikave dhe sektorëve në kuadër të QKUK-së, ku përfshihen: letër për duar, letër tualeti 100% celulozë e bardhë dhe shamponë për duar me shkumë”, tha drejtoria e përgjithshme e SHSKUK-së në një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë.

Ajo nuk dha detaje se kur pritet të kompletohen këto furnizime.

Një nga laboratorët në Klinikën e Pulmologjisë, ku bëhet analiza e baciloskopisë. Nëntor 2022
Për pastërtinë e klinikave në QKUK është e angazhuar edhe një kompani private, nga e cila konfirmuan se obligim kanë vetëm “largimin e mbeturinave nga repartet” dhe “pastrimin e dyshemeve dhe të dritareve”.

Lexo edhe:  Pensionohet motra Minire, sherbeu mbi 30 vite në QKMF të Skenderajt