​Serbët e Fushë Kosovës: Jetojmë mirë me shqiptarë, nuk kemi presion për t’i shitur pronat

Regjimi i Beogradit po vazhdon t’i paraqes serbët e Kosovës si viktima. Kjo propagandë e drejtuar nga politikanët e Serbisë, po mbështetet edhe nga ata zyrtarë lokalë serbë të dirigjuar direkt nga Beogradi.

Kryetari i Komunës ilegale të Fushë Kosovës, Aleksandar Trajkoviq thotë se serbët e Bresjes po ballafaqohen me presion për t’i shitur pronat.

Mirëpo, ndryshe nga Trajkoviqi, banorët serbë të këtij fshati thonë se nuk kanë asnjë presion, shkruan një medium serb.

Banori Miodrag Jovanoviq duke mohuar zërat e zyrtarëve serbë thekson se nuk ka presion për ta shitur pronën.

“Përpara kemi jetuar mirë, çka bëri politika nuk e di. Po i shesin pronat për një jetë të mirë. Nuk kam probleme me shqiptarët, ata vijnë tek unë”, shton Jovanoviq.

Sikurse Jovanoviqi edhe Milorad Mitroviq thotë se nuk ka pasur një kërkesë të tillë.

“Më kanë pyetur për ta shitur pronën, por nuk do ta shes, nuk kam pasur dhunë për ta shitur. Nuk më ka sulmuar askush dhe as nuk më ka maltretuar. Dal shëtis kudo, punoj tokën. Këtu do të jetoj derisa të jem gjallë”, ka deklaruar Mitroviq, transmeton kosovapress.

Ndërsa banorja Milka Mitroviq deklaron se është e lirë dhe jetojnë të lirë në Kosovë.

“Nuk kemi probleme, (shqiptarët) janë të dashur me ne. Nuk kemi bërë asnjë problem kur ka qenë lufta, gjatë kohës së luftës nuk kemi vjedhur, nuk kemi plaçkitur, dhe ne jemi të lirë, jetojmë të lirë”, pohon Mitroviq.

Edhe Lubisha Mitiq ndanë mendim të njëjtin me serbet se kalojnë mirë me fqinjët e tyre shqiptarë.

“Kam shokë të mirë shqiptarë, shoqërohemi bashkë, shkojmë te njëri-tjetri, nuk ndjej për tu larguar nga këtu”, shprehet Mitiq.

Lexo edhe:  Gjendet i vdekur një person në Pejë, gjendet një revole në vendin e ngjarjes

Përkundër që serbët deklarojnë se nuk kanë presion për t’i shitur pronat e tyre, kryetari paralel insiston se ka presion.

“Nuk mund ta ndalojmë këtë [shitjen], po mundohemi t’iu lehtësojmë jetën, por edhe t’i zvogëlojmë presionet”, përfundon Trajkoviq.