Policia kap hajnin që vidhte pije alkoolike në një market në Gjakovë

Rastet e vjedhjeve nëpër markete të ndryshme në Kosovë janë bërë një fenomen mjaft shqetësues, duke shkaktuar ankthe e pasiguri te punëtorët, e humbje për bizneset. Për disa raste të tilla që kanë ndodhur në një market në rrugën “Marin Barleti” në Gjakovë, sot është arrestuar një person.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për M.I., i cili sipas informacioneve të para dyshohet se ka kryer vjedhje dy herë në një market, prej ku ka arritur të marrë disa shishe me pije alkoolike, “Jegarmeister”, vlera e të cilave është rreth 100 euro.

Policia ka arritur ta identifikojë të dyshuarin, pas analizimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë në market, ku edhe u zbulua se i njëjti i ka kryer dy vjedhje. Posa është lokalizuar vendndodhja e tij, i njëjti është shoqëruar sot në stacion policor, ku edhe ka dhënë deklaratë në lidhje me rastet.

Ndaj tij, siç mëson Sinjali, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Vjedhje e rëndë” dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Lexo edhe:  Sulmi ndaj dy gazetareve: E akuzuara tenton të shfajësohet, nuk kërkon falje për veprimin