Nis peticioni për përfshirjen e Murat Jasharit në garën për president

Pas zhvillimeve të fundit në skenën politike, teksa vendi po hyn në tri ditët e fundit për të shmangur zgjedhjet e reja parlamentare, një iniciativë qytetare, e mbështetur edhe nga diaspora, ka nisur një peticion përmes të cilit kërkohet që kandidatura e profesorit Murat Jashari të merret në konsideratë në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri në Kosovë.

Në këtë peticion, që iu drejtohet Kuvendit të Kosovës dhe vetë Jasharit, qytetarët nënshkrues theksojnë nevojën për përgjegjësi, dinjitet dhe përfaqësim të denjë në zgjedhjen e kreut të shtetit.

“Ne, qytetarët nënshkrues, kërkojmë që në procesin e zgjedhjes së Presidentit të merret seriozisht në konsideratë kandidatura e Prof. Murat Jasharit”, thuhet në tekstin e peticionit.

Nënshkruesit i bëjnë thirrje Kuvendit që të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe të sigurojë që procesi i zgjedhjes së Presidentit të jetë në përputhje me pritjet dhe dinjitetin e qytetarëve të vendit.

Po ashtu, një thirrje i drejtohet edhe profesor Jasharit që të reflektojë mbi këtë mbështetje si një përgjegjësi publike dhe të jetë i gatshëm të kontribuojë nëse kjo kërkesë merr formë institucionale.

Sipas nismëtarëve, peticioni synon të nxisë një proces që reflekton vlerat shtetformuese dhe sakrificën mbi të cilën është ndërtuar liria e Kosovës, duke e parë Presidencën si simbol të unitetit dhe vazhdimësisë shtetërore.

Për të qenë i vlefshëm, organizatorët kanë bërë të ditur se çdo nënshkrim duhet të konfirmohet përmes një linku që u dërgohet qytetarëve në e-mail.

Ndërkohë, më 25 shkurt ishte raportuar se Murat Jashari, ka refuzuar mundësinë për të marrë postin e presidentit.

Lexo edhe:  Në qershor merret vendimi për pensionet e punëtorëve të larguar nga puna në vitet 90-ta