Zyrtari doganor Valmir Shala dyshohet se vodhi rreth 50 mijë euro pajisje elektronike, e ari në vlerë 100 mijë euro nga depo e doganës

Një person zyrtar u vu nën prangat e Policisë së Kosovës. Bëhet fjalë për një zyrtar të Doganës së Kosovës, i cili u arrestua nën dyshimin se kreu veprat penale të “keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar si dhe përvetësimit në detyrë”.
Të gjitha këto vepra, e të cilat u hetuan për një kohë të gjatë nga organet e hetuesisë çuan në arrestimin e zyrtarit doganor.

I dyshuari në këtë rast po vazhdon të mbahet në paraburgim, deri në vendosjen e hetuesisë dhe gjyqësisë për procedurat e radhës.

Lajmi.net ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për zyrtarin doganor, Valmir Shala.

Valmir Shala është zyrtari i Doganës së Kosovës që dyshohet se vodhi pikërisht institucionin në të cilin punoi për një kohë të gjatë.

Sipas burimeve të lajmi.net, Shala vodhi në depon e Doganës së Kosovës pajisje në vlerë elektronike rreth 50 mijë euro.

Por kjo nuk përfundon me kaq.

Detaje të tjera shokuese nga ky rast nxjerrin në pah se i dyshuari, Shala përpos pajisjeve elektronike ishte përkujdesur që t’i zhduk nga depo edhe një numër të madh të cigareve.

E në depo të Doganës u vërejt edhe mungesa e rreth një kilogram ari- e për të cilat dyshohet se u vodhën pikërisht nga i lartcekuri.

Vlera e rreth një kilogram ari të vjedhur dyshohet se arrin në 100 mijë euro vlerë monetare.

E në lidhje me këtë rast nga Dogana e Kosovës nuk janë dhënë detaje shtesë, madje nuk janë përgjigjur as në pyetjet e dërguara nga redaksia.

Por një përgjigje në lidhje me këtë rast pati Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Nga Prokuroria u tha se ndaj të pandehurit V.SH., është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Sipas prokurorisë, janë duke u ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme hetimore lidhur me çështjen në fjalë.

Lexo edhe:  Mbrojtja e afërt e presidentes shtyn gazetarin, ndërhyn Osmani

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se ndaj të pandehurit V.Sh., është caktuar masa e paraburgimit prej tridhjetë (30) ditësh.Prokurori i shtetit është duke i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme hetimore lidhur me çështjen në fjalë”, u tha në përgjigjen e prokurorisë të dhënë për lajmi.net.

Kësisoj dëmi material të cilin i ka shkaktuar i dyshuari Doganës së Kosovës dhe buxhetit të vendit cilësohet të jetë shumë i lartë.

Si fillim në lidhje me rastin njoftimi i Prokurorisë bëri të ditur edhe veprat me të cilat ngarkohet tanimë i pandehuri.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë/Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik, se në bashkëpunim dhe në koordinim me Hetuesit e Doganës së Kosovës, ka realizuar një aksion gjatë të cilit është arrestuar një person i dyshuar për veprat penale  ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar’’  bazuar nga neni  414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ‘’Përvetësimi në detyrë’’ në bazë të nenit 418 të KPRK-së”, thuhej nga prokuroria.

Derisa nga Dogana e Kosovës kanë dashur që të mbesin të “mbyllur” për këtë çështje, mbetet të shihet nëse autoritetet përgjegjëse të hetuesisë dhe drejtësisë do të arrijnë të nxjerrin edhe më shumë detaje në lidhje me dyshimet të cilat tanimë ekzistojnë në kuadër të vjedhjeve të vazhdueshme në këtë depo.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbetet e përkushtuar në ndjekjen e veprave penale, duke vepruar në mënyrë të intensifikuar me qëllim të mbrojtjes së rendit dhe interesit publik”, thuhej nga Prokuroria.