40-vjeçari në Graçanicë shkel urdhrin e mbrojtjes, i dehur ushtron dhunë ndaj nënës së moshuar

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.

Si pasojë e dhunës, shumë gra pajisen edhe me urdhër të mbrojtjes nga Gjykata, mirëpo as kjo nuk respektohet gjithmonë nga të dyshuarit.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se një rast i tillë ka ndodhur së fundi në Graçanicë, ku një grua e moshuar ka kërkuar ndihmën e Policisë për shkak të dhunës që përjetoi nga djali i saj.

Bazuar në dëshminë e 69-vjeçares, i biri ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj saj, pavarësisht se e moshuara ishte e pajisur me urdhër të mbrojtjes të lëshuar nga Gjykata.

Si rezultat i denoncimit, 40-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku më pas i është nënshtruar edhe testit për alkool dhe ka rezultuar në gjendje të dehur.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet për veprën penale ‘Mospërfillje e Gjykatës’.

Lexo edhe:  Ky është i moshuari që u gjet pa shenja jete në Lipjan, jetonte i vetëm