Hetuesit e IPK-së arrestojnë zyrtarin policor pasi dyshohet se e rrahu një të mitur
Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë arrestuar një zyrtar policor, i cili ishte i angazhuar në Policinë Kufitare, Stacionin e Policisë Kufitare në Glloboçicë, raporton Gazeta Sinjali.
Hetuesit e IPK-së kishin pranuar informacione dje, ku dyshohej se ky zyrtar jashtë detyrës zyrtare kishte ushtruar dhunë fizike ndaj një qytetari të moshës së mitur, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Pas pranimit të informacionit, IPK ka ndërmarrë veprime paraprake hetimore në konsultim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj. Pas hetimeve të para, ka lindur dyshimi i arsyeshëm se zyrtari policor ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Zyrtari i dyshuar është arrestuar dhe me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Në përputhje me kompetencat ligjore dhe në interes të hetimit penal, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tij nga detyra, ndërkohë që veprimet e mëtejshme hetimore do të kryhen në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj.