Drejtoresha në Gjilan dha dorëheqje pasi aktivistët e VV-së hynë në zyrën e saj – Prokuroria autorizon policinë të nis hetimet

Një rast i pazakontë është raportuar të ketë ndodhur brenda objektit të Komunës së Gjilanit, saktësisht në zyrën e drejtoreshës për Buxhet dhe Financa të kësaj komune.
Herolinda Murati-Leka, drejtoreshë e kësaj drejtorie ka dhënë sot dorëheqje nga pozita e saj, pasi e njëjta ka thënë se persona të paautorizuar kanë hyrë në zyrën e saj, kur ajo nuk ka qenë aty.

E njëjta po ashtu deklaroi se përgjatë kësaj jave është përballur me veprime të papranueshme ku persona të paidentifikuar dyshohet të kenë hyrë në zyrën e saj pa autorizim. Pas kësaj ajo tha se ky është një mesazh i qartë i pasigurisë institucionale dhe një tentative për t’i treguar se është e padëshiruar në këtë qeverisje komunale.

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka thënë për lajmi.net se ka autorizuar Policinë t’i kryejnë hetimet.

“Referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se për këtë rast Prokuroria Themelore në Gjilan, ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrin veprime hetimore”, ka thënë Prokuroria Themelore në Gjilan për lajmi.net.

Dje (e diel), dega e PDK-së në Gjilan ka thënë se përveç që kanë hyrë në zyrën e saj, aktivistë të VV-së ia kanë ndërruar cilindrin e derës së saj.

“Skandali i fundit i jashtëzakonshëm është se drejtoreshës së buxhetit në Gjilan, aktivistët e VV-së (familjar të një asambleisti të VV-së) ia kanë ndrruar cilindrin zyrës së saj apo kanë bërë kopjimin e qelsit, duke ndërhyrë dhe patur qasje pa leje në zyren e saj, kur ajo nuk ka qenë prezent në punë. E për këtë rast drejtoresha e buxhetit dhe financave ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, e cila tashmë është duke e bërë punën e vet të hetimeve”, ka shkruar kryetari i degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti.

Lexo edhe:  Mbi 200 mijë qytetarë u larguan nga Kosova në 5 vitet e fundit

Ai ka thënë se edhe pse ka kaluar afati ligjor, raporti financiar për vitin 2024 ende nuk i është dërguar Kuvendit Komunal që duhet ta shqyrtojë në seancën e marsit.

“Dyshohet sa janë bërë shumë veprime të dyshimta për mënyrën e shpenzimit të miliona eurove të buxhetit në vitin e kaluar dhe drejtoresha nuk është plotësisht e informuar, sepse është anashkaluar nga kundërshtarët e saj që po luftojnë për t’a larguar nga pozita që e mbanë ajo.

Çdo ditë e më shumë po demaskohet qeverisja e korruptuar e Alban Hysenit e cila e ka humbur kontrollën. Muajt në vijim do të ketë edhe skandale tjera të pabesueshme që do të dalin sheshit. E fundi i këtij pushteti do të jetë i turpshëm dhe tejet i dëmshëm për komunën tonë”, ka shkruar Rushiti.