Kurti tani ia njeh meritat Rugovës: Luajti një rol kyç në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova në 19-vjetorin e vdekjes së tij.

Kryeministri ka thënë se Rugova i ka mbetur në kujtesë si një njeri i urtë, paqësor dhe besnik ndaj rrugës së dialogimit në politikë.

“Në fillet e angazhimit tim politik, më 1997, kam patur rastin ta takoj dy herë Presidentin Ibrahim Rugova, prej kur figura e tij më ka mbetur në kujtesë në trajtën e imazhit të një njeriu të urtë, paqësor dhe besnik ndaj rrugës së dialogimit në politikë. Sot janë bërë 19 vite nga 21 janari i vitit 2006, kur Dr. Ibrahim Rugova vdiq në moshën 61 vjeçare, duke lënë pas infrastrukturën e një tradite të madhe politike, institucionale dhe studimore”, ka shkruar Kurti.

Derisa, ai tha se konsistenca e tij retorike me kërkesa për liri, pavarësi dhe demokraci për Kosovën, u dëgjua si mesazh autentik në të gjitha kancelaritë e shteteve të Evropës dhe në ShBA-të.

Ndërkohë, Kurti në përvjetorin e vdekjes së Rugovës ka bërë të ditur se është botuar një libër për ta kujtuar ish-presidentin dhe për t`u njohur me profilin politik të tij.

“Dr. Ibrahim Rugova i ka lënë Kosovës një trashëgimi të madhe politike, institucionale dhe letrare e studimore, e cila është mbledhur dhe studiuar, por që edhe më tutje pritet të njihet dhe të studiohet nga politologët, historianët, filozofët dhe kritikët e letërsisë. Në muajt e fundit, korpusit të botimeve për Presidentin Ibrahim Rugova, u është shtuar dhe një botim i veçantë për raportimet e shtypit italian dhe gjerman për Presidentin Rugova. I përgatitur për botim nga studiuesi Bejtullah Destani, ky libër mund të merret si një hyrje e mirë për t’u njohur me profilin politik të Presidentit Rugova, parë nga perspektiva e raportimeve të mediave ndërkombëtare dhe si një mënyrë për ta kujtuar atë në këtë përvjetor të vdekjes së tij”, ka theksuar i pari i Qeverisë./teve1

Lexo edhe:  U hodh me parashutë, aksidentohet dhe ndërron jetë 32-vjeçari shqiptar