“Të vras ty dhe gjithë familje tane”/ Gjilanasi kërcënon me thikë të dashurën që do të ndahet nga ai
Vendimi për ndarje nga partneret e tyre, shpesh herë nuk u pëlqen burrave. Këta të fundit nuk kursejnë kërcënimet dhe veprimet e dhunshme ndaj grave për t’i detyruar ato që të rrinë në lidhje me ta, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu dyshohet se veproi edhe një burrë në qytetin e Gjilanit, i cili detyroi të dashurën e tij të kërkojë ndihmë dhe mbrojtje në Polici.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 34-vjeçarja ka rrëfyer në detaje gjithë lidhjen e saj me të dyshuarin me të cilin ka filluar bashkëjetesën tash e dy muaj.
Sipas saj, 48-vjeçari vazhdimisht ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike, për çka edhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital si pasojë e lëndimeve të marra. Për shkak të telasheve të shumta në lidhjen e tyre, viktima i ka kumtuar të dashurit të saj lajmin se dëshiron të ndahet.
Por kjo nuk është pritur aspak mirë nga burri, i cili dyshohet se me thikë në dorë e ka kanosur duke i thënë se nëse ajo ndahet nga ai, do e vrasë atë dhe gjithë familjen e saj.
Pas denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të nisin hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje dhe i njëjti të dërgohet në mbajtje për 48 orë.