22 vjet burgim për ‘Calin’, reagon vajza e tij: Historinë tonë të pastër e të larë me gjàk po e shtrembërojnë

 

Paneli i Apelit në Gjykatën Speciale e ka ulur në 22 vjet burgim dënimin prej 26 vjetësh për ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, duke e përfshirë kohën e kaluar në paraburgim.

Pas këtij vendimi, me një postim tejet emocionues ka reaguar vajza e tij, Buna, e cila ka publikuar një poezi të dëshmorit Bahri Fazliu, bashkëluftëtar i babait të saj.

E bija e Mustafës, ka thënë se historia po shtrembërohet aq shumë “saqë nuk po mundemi të njohim as vetveten.”

“Si fëmi i kam lexu poezitë e xhaxhit Bahri gjatë pushimeve. E sot si studente po i rilexoj poezitë e tij gjatë pauzave për me e taku e me përqafu babin në vizitën e pasditës në Hagë.

E qysh me i tregu xhaxhit Bahri, hero i kombit, se bashkëveprimtari e bashkëluftëtari i tij po gjykohet padrejtësisht për luftën e pastër që e bënë krah për krah? E qysh me i tregu xhaxhit Bahri që shoku i tij i ngushtë po vuan dënim në burgjet e Hagës. Sa e rëndë do ishte që heronjtë tanë, Fahri Fazliu, Afrim Zhitia, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Bahri Fazliu, Agron Rrahmani, Ilir Konushevci, Isa Kastrati e Sokol Sopi ta kuptonin se bashkëluftëtarin e tyre po e përulin e historinë tonë të pastër, të drejtë, e të larë me gjakun e të rinjve tanë po e shtrembërojnë aq shumë saqë nuk po mundemi të njohim as vetveten.”– ka shkruar ajo.

Lexo edhe:  Një javë pasi nisën mësimin, rrahen brutalisht dy nxënëse të shkollës ekonomike në Gjakovë (VIDEO)