“Ose nënshkruaj, ose ta djegin veturën” – raportohet se punëtorët serbë po detyrohen të japin dorëheqje

Qindra policë serbë, punëtorë të administratës nëpër Gjykata e Prokurori, kanë dhënë dorëheqje nga vendet e tyre të punës. Këtë e kanë bërë pas vendimit të Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës, por edhe zhvillimeve të fundit. E sipas një raportimi nga REL, del se ata po detyrohen të japin dorëheqje.

Një pjesë e këtyre punëtorëve kanë qenë subjekt i kërcënimeve që të japin dorëheqje nga strukturat ilegale në veriun e vendit, thuhet në raportim.

Një punëtore e Gjykatës në Mitrovicë ka treguar për Evropën e Lirë se janë kërcënuar me djegie veturash.

“Askush nuk ka asnjë plan se si të rregullohet kjo. Vetëm thanë ‘ejani nënshkruani dorëheqjet’, të cilat ne u desh t’i firmosnim. Pavarësisht se ata thonë se kjo ka qenë vullnetarisht, nuk ka qenë fare vullnetarisht”, dëshmon punonjësja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, e cila pranoi të flasë vetëm në kushte anonimiteti.

“Ata të gjithë thonë ‘nuk e ke me detyrim’, por ti e di se detyrohesh. Nëse nuk nënshkruan, do të t’i vënë zjarrin makinës ose mund të të bëjnë çdo gjë”,thotë e intervistuara nga REL-i.

Një punëtore tjetër në një institucion të Kosovës në veri, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë deklaron se nuk e ka braktisur me vullnet vendin e punës.

Ajo thotë se “të gjithë i luten Zotit që situata të rregullohet dhe të kthehen në punë”.

“A thua a ka njeri që mendon ndryshe”, pyet ajo.

Këta persona janë shprehur të shqetësuar për të ardhmen e tyre pasi edhe kanë kredi.

Duhet të kujtojmë se deri tash janë djegur gjashtë vetura që besohet të jenë incidente të ndërlidhura me vendimin e shoferëve të tyre për t’i ndërruar targat ilegale. Nacionale ka pyetur politikanin serb Aleksandër Arsenijeviq nëse kishte dëgjuar për raste kërcënimesh por ai e mohoi një gjë të tillë.

Lexo edhe:  Vdes një person në Klinikën e Neurologjisë

“Unë mund të flas vetëm për ato që i shoh. Deri tash nuk kam parë diçka të tillë. Nuk kam pasur shumë kontakte me njerëz këto ditë, por me ata që kam pasur nuk më kanë thënë se ka diçka të tillë,”- u përgjigj shkurtimisht ai.

Klikoni për artikullin e plotë të RADIO EVROPA E LIRË