Zbulohet se çfarë dallavare bënin autoshkollat që u bastisen sot në Prizren

Gazeta Sinjali raportoi sot ekskluzivisht se drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren kanë zhvilluar sot një aksion komunën e Prizrenit, ku cak i bastisjeve kane qenë disa autoshkolla, të cilat dyshohet se kanë kryer veprime të kundërligjshme.

Gjatë operacionit policor, kanë rënë në prangat e Policisë së paku tre persona, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe legalizim të përmbajtjes së rreme.

Lajmin tashmë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, me ç’rast ka bërë të ditur se zyrtarë të një klinike mjekësore në Prizren, kanë lëshuar certifikata mjekësore për kandidatet të cilët paraqesin provimin për patentë, duke bashkëpunuar me dy autoshkolla.

Të njëjtit dyshohet se kanë lëshuar vërtetime për aftësimin e kandidatëve në pjesën teorike dhe praktike pa qenë kandidatët fare prezent në Kosovë.

“Hetuesit policorë nga Sektori për Hetime Financiare/Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), e kanë trajtuar informatën ku dyshohet se, zyrtarë të një klinike mjekësore me seli në Prizren, lëshojnë certifikata mjekësore për kandidatet të cilët paraqesin provimin për patentë shofer, pa qenë fizikisht prezent në klinikë dhe pa ua bërë kontrollin mjekësor.

Po ashtu, dyshohet se kjo klinikë bashkëpunon me dy auto-shkolla, njëra me seli në Prizren dhe tjetra me seli në Malishevë. Dyshohet se edhe auto-shkollat kanë lëshuar vërtetime për aftësimin e kandidatëve në pjesën teorike dhe praktike pa qenë kandidatët fare prezent në Kosovë.

Kjo informate është trajtuar nga hetuesit policorë në bashkëpunim me Prokurorin Themelore Prizren, ku pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore janë mbledhur provat fillestare që vërtetojnë dyshimin e bazuar në lidhje me pretendimet (dyshimet) e lart-cekura.” – ka njoftuar Policia.

Lexo edhe:  Mushkolaj: Gratë kanë të drejtë të bëhen nëna pa pasur nevojë për burrë

Sipas Policisë, tre të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Sot, më 18.01.2024, nën dyshimin e përfshirjes në veprat penale: ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘legalizim i përmbajtjes se rreme, policia ka arrestuar tre të dyshuar: I.G., (viti i lindjes 1962, mashkull kosovar), U.M., (viti i lindjes 1975, mashkull kosovar) dhe L.B.., (viti i lindjes 1975, mashkull kosovar). Personat e dyshuar janë shoqëruar në zyrat e DHKEK në Prizren, të cilët janë intervistuar, pastaj me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje deri 48 orë.”