Aksioni i Krimeve Ekonomike në autoshkollat në Prizren, së paku tre të arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren kanë zhvilluar sot një aksion komunën e Prizrenit, ku cak i bastisjeve kane qenë disa autoshkolla, të cilat dyshohet se kanë kryer veprime të kundërligjshme.

Gjatë operacionit policor, kanë rënë në prangat e Policisë së paku tre persona, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe legalizim të përmbajtjes së rreme.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se në mesin e të arrestuarve ka edhe zyrtarë të autoshkollave.

Po ashtu, Policia ka arritur ta arrestojë edhe një punonjës të një institucioni privat, që ka pasur autorizim për lëshim të certifikatave shëndetësore të nevojshme për pajisje me patentë shofer dhe ka kryer veprime të kundërligjshme.

Sipas informacioneve të para, pikënisje e këtij aksioni janë dyshimet për regjistrim në autoshkolla të personave që jetojnë jashtë Kosovës – pa kryer procedurat e nevojshme.

Sinjali ka kontaktuar edhe Policinë dhe është në pritje të një konfirmimi zyrtar.

Lexo edhe:  Djali në Rahovec i del në mbrojtje nënës: E denoncon babanë për dhunën e ushtruar ndaj saj