Zbulohet arsyeja e bastisjes së sontme nga Krimet e Rënda në Veri

U raportua për aksionin e drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda që u zhvillua sot në veri, ku si rezultat i bastisjeve në dy fshatra janë sekuestruar armë, pajisje të ndryshme e dokumente. Kontrollet janë kryer bazuar në një urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ndërsa dy të dyshuarit që ishin cak i organeve të rendit nuk janë gjetur nga Policia.

Siç merr vesh Sinjali, operacioni policor lidhet me barrikadat e 10 dhjetorit 2022, ku dy personat e dyshuar po hetohen përr veprën penale “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese”, lidhur me veprën “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.

Në bazë të informacioneve të para, bastisjet janë kryer në fshatin Banjskë dhe në fshatin Lozhistë, ku në dy shtëpi janë gjetur dhe sekuestruar së paku dy armë, telefona, dokumente e pajisje të armëve.

Kujtojmë se rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë – u bllokuan më 10 dhjetor 2022. Barrikadat në veri të Kosovës u ngritën nga disa grupe serbësh, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb të Policisë së Kosovës.

Lexo edhe:  Rrahja brutale në Gjilan, zbulohet kush janë dy djemtë nga familja Krivaqa që përfunduan në ndalim