Vushtrriasi kapet mat në një kafeteri me armë ilegale në brez, përfundon në Polici

Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë.

Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në një kafeteri në Vushtrri, ku Policia ka kapur një person me armë ilegale.

Siç mëson Sinjali bëhet fjalë për një 59-vjeçar, i cili po dyshohet se ishte futur në lokal me armë në brez, të cilën e mbante pa autorizim.

Posa rasti është denoncuar në Polici, një njësi policore ka intervenuar dhe gjatë kontrollit trupor, të dyshuarit i është gjetur arma e zjarrit dhe disa fishekë, që janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe me urdhër të prokurorit, ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

Lexo edhe:  Lajmi mirë: Bie dukshëm çmimi i naftës në botë, pritet të reflektojë edhe në tregun kosovar