Vrasje në tentativë në Prishtinë: Dy persona qëllojnë me armë në drejtim të viktimës dhe ‘zhduken’

Posedimi i armëve të zjarrit dhe atyre të ftohta është një dukuri shqetësuese në vendin tonë.

Qytetarët po ashtu shpeshherë gjuajnë me armë, ku si pasojë janë shënuar shumë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur edhe mbrëmë rreth orës 22:00 në lagjen Kodra e Diellit në Prishtinë, ku dy persona dyshohet se kanë tentuar ta privojnë nga jeta një person tjetër.

Sinjali merr vesh se në momentet kritike, viktima ishte në oborrin e shtëpisë së tij, kur dy të dyshuarit kanë shtënë me armë në drejtim të tij dhe më pas janë larguar për në drejtim të panjohur.

Viktima ka arritur që të shpëtojë pa asnjë lëndim dhe ka denoncuar menjëherë rasti në Polici.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Po ashtu janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në lokalizimin e vendndodhjes së dy personave të dyshuar.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve

Lexo edhe:  Gjendet i vdekur në kulmin e shtëpisë një person në Prishtinë