A do të mund të shpëtohej foshnja në barkun e shtatzënës që u vra?, drejtoresha nuk përgjigjet

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës (SHSUK), Pranvera Zejnullahu-Raçi, ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet e gazetarëve lidhur me vrasjen e shtatzënës 35-vjeçare në oborrin e QKUK’së.

Pas mbledhjes së Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, gazetarët e kanë pyetur Zejnullahu-Raçin nëse do të jap dorëheqje pas këtij rasti dhe nëse fëmija në barkun e shtatzënës së vrarë do të mund të shpëtohej, por ajo s’është përgjigjur, raporton Express.

E njëjta është larguar nga salla bashkë me deputeten Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, e cila e kryeson këtë komision.

Ndryshe, një vrasje makabre është kryer dje rreth orës 18:00, në oborrin e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës. Viktima është Hamide Magashi, një 35-vjeçare që ishte në javën e 41’të të shtatzanisë. Ajo është vrarë para objektit të Klinikës së Gjinekologjisë, ku kishte shkuar për të kryer lindjen.

I dyshuari për vrasje është Sokol Halili, me të cilin viktima ishte në prag të divorcit. Pas vrasjes, ai ka ikur dhe ende ndodhet në arrati.

Vrasja ka ndodhur rreth orës 18:00, derisa Policia e Kosovës e ka konifirmuar rastin në orën 19:00.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka deklaruar mbrëmë për Gazetën Express se dyshimet e para sugjerojnë së bëhet fjalë për vrasje.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, ka deklaruar Ahmeti.

Lexo edhe:  “Ata po vijnë, ata po vijnë” – fluks mërgimtarësh tanë në kufirin Hungari – Serbi

Sipas raportimeve në media, 35-vjeçarja kishte dalë nga klinika për të blerë diçka dhe kur po kthehej ishte takuar me ish-bashkëshortin, i cili raportohet se menjëherë ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar me tre plumba.