Ende asnjë i dyshuar për vrasjen që ndodhi në pikë të ditës në qendër të Mitrovicës

Ende nuk është identifikuar asnjë person i dyshuar për vrasjen e 65-vjeçarit të martën në Mitrovicë. Këtë informacion e konfirmoi Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës.

Viktima u gjet i vrarë brenda Shoqatës së të Shurdhërve në Mitrovicë, në të cilën ishte anëtar.

Sipas prokurorisë vrasja ishte e dhunshme, ndërsa sipas ekspertit mjeko-ligjor që ka dalur në vendngjarje në ditën kritike, dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e disa goditjeve me një mjet të mprehtë.

Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa prokuroria ka thënë se po zhvillon hetime intensive për gjetjen e personit apo personave të dyshuar për vrasjen.

“Prokurori i shtetit në koordinim me policinë janë duke zhvilluar hetime intensive në mënyrë që të identifikohet kryerësi i veprës penale “Vrasja”, me qëllim të arrestimit dhe vënies para drejtësisë”, njoftoi të mërkurën prokuroria.

65-vjeçarit të vrarë iu dha lamtumira dje në varrezat në Shipol të Mitrovicës.

Motivet e vrasjes mbeten të paqarta.

Rasti është klasifikuar si “vrasje”, teksa ngjarja tragjike sipas policisë ka ndodhur të martën rreth orës 14:35 në rrugën “Avni Shabani” në Mitrovicë.

Lexo edhe:  Zhdukja e gjilanasit çon në këmbë Policinë në Kosovë dhe Shqipëri, e gjejnë duke pushuar në mes të Tiranës