‘Vrasje me dashje’ apo nga pakujdesia, prokuroria vendos sot çfarë akuze do ngrejë ndaj Arjan Tases, shefi i shkarkuar i Policisë del në gjyq

Edhe pse Prokuroria e Vlorës ende nuk ka konkluduar një akuzë konkrete zyrtare për komisarin e vënë në pranga, Arjan Tase, ajo çka bëhet me dije është se ditën e sotme, në Gjykatë do të kërkojë mbajtjen në arrest me burg deri në përfundimin e plotë të hetimeve.

Ndonëse do të jetë Gjykata që do ta thotë fjalën e fundit për rastin konkret, përfaqësuesit e prokurorisë pretendojnë të thellojnë hetimet edhe në një sërë pistash të tjera që tejkalojnë aktin për të cilin është arrestuar 38- vjeçari Tase.

Sot, komisari në Gjykatë

Gjykata e Vlorës ka caktuar ditën e sotme e më 5 gusht, ora 10:30, për të zhvilluar seancën për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj ish-shefit të Komisariatit të Himarës, Arjan Tase.

Ai akuzohet për ngjarjen tragjike të 2 gushtit në plazhin e Potamit në Himarë, ku si pasojë e përplasjes me gomonen që drejtonte Tase, humbi jetën një vajzë 7-vjeçare.

Gjithashtu, në të njëjtën ditë priten të vlerësohen edhe masat e sigurisë ndaj 15 efektivëve të Policisë Kufitare të Vlorës, të cilët për të njëjtën ngjarje janë shkarkuar me motivacionin për moskryerje të detyrës.

Për Arjan Tasen, deri më tani është bërë publike akuza e ngritur nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila e ka klasifikuar ngjarjen si një vrasje nga pakujdesia, e cila parashikon një dënim nga gjobë deri në 5 vite burg. Por burime pranë Prokurorisë së Vlorës, e cila ka marrë tashmë në dorë hetimet, shprehen se në varësi të dëshmive, dinamikës së ngjarjes, si dhe, natyrisht, dëshmive të personave prezentë në vendngjarje dhe të vetë drejtuesit të gomones, Tase, nuk përjashtohet mundësia edhe e ndryshimit të akuzës.

Lexo edhe:  Policia kap një Mercedes që po bënte kontrabandë në veri

Kjo me argumentimin se pavarësisht faktit që ish-punonjësi i Policisë Tase nuk ka dëshiruar ardhjen e pasojës fatale ndaj 7- vjeçares, provat flasin se ai është futur me vetëdije të plotë në një zonë ku nuk duhej të qarkullonin mjete detare me motorë.

Për këtë arsye, ndaj Tases hetuesit po analizojnë edhe ngritjen e akuzës për vrasje me dashje në mënyrë indirekte.

Gjithsesi, seanca e sotme pritet të qartësojë akuzën zyrtare për momentin ku ndodhën hetimet.

Ndërsa ndaj punonjësve të Policisë Kufitare të shkarkuar pas ngjarjes, është ngritur akuza e “Shpërdorimit të detyrës”.