Vrasja për mal në Gradicë – Çka ndodhi sot në gjykatë, pse u ndërpre seanca?

Mbrojtja ka kërkuar që të ndërpritet gjykimi në mënyrë që të pajisen me të gjitha shkresa të lëndës në rastin ku Xhafer dhe Amir Bardhi po akuzohen se si rezultat i një mosmarrëveshje pronësore kanë privuar nga jeta të miturin A.M, 15 vjeçar dhe prindin e tij B.M.

Lidhur me këtë mbrojtësi i të akuzuarit Xhafer Bardhi, avokati Haxhi Millaku tha se fillimisht në seancat e më hershme ka deklaruar se me korrektësi kanë marrë dosjen nga ana e prokurorit por gjatë kontrollimit të CD-së e kanë vërejtur se mungojnë disa shkresa të lëndës.

Ndërkaq mbrojtësi i të palës së dëmtuar-dëshmitares Selvete Muja, avokati Ndrec Dodaj ishte kundër shtyrjes së seancës pasi që kjo kërkesë sipas tij është bërë jashtë afatit.

Paraprakisht, në fillim të seancës është vazhduar marrja në pyetje e dëshmitares Muja, nga mbrojtësit e të akuzuarve Bardhi, avokatët Millaku dhe Agron Hoti,

Në pyetjen e avokatit Millaku se në ditën kritike me çfarë pajisje janë nisur të ndjerët atë natë për në pyll, Muja tha “se me asgjë tjetër pos me sharrë dhe me benzinë”.

Poashtu, avokati Millaku e pyeti se nga kush fillimisht kanë marr lajmin për ngjarjen që ka ndodhur dhe cili ka qenë versioni të cilin e kanë dëgjuar së pari, e që dëshmitarja tha se janë njoftuar nga Valdrini.

“Na ka thënë se qenka rrotullu rami me dru dhe i ka nxan djalin dhe B. ndërsa për vrasjen se kemi ditë deri sa jemi shku në vendin e ngjarjes”, shtoi ajo.

Gjithashtu e pyetur nga avokati Millaku rreth miqësisë së tyre me familjen Bardhi, e njëjta shtoi se raportet i kanë pasur të mira dhe se i akuzuari Amir kishte punuar përafërsisht 1 vit për kunatin e saj Sokol Mujën.

Lexo edhe:  E rëndë: Vritet biznesmeni në Shëngjin në pikë të ditës

Tutje mbrojtësi i të akuzuarit Amir Bardhi, avokati Hoti e pyeti atë lidhur me sjelljet e të akuzuarit Bardhi në rastet kur ai ka qenë i ftuar në shtëpinë e tyre e që e njëjta tha se “nuk kemi pas asnjë vërejte ndaj tij dhe se nuk e kuptoj si ka ardhë situata deri këtu”.

Ndryshe, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuci aprovoi kërkesën e avokatëve mbrojtës dhe shqyrtimi i sotëm gjyqësor është shtyrë për datën 8 nëntor 2022.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 28 shkurt 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të pandehurit Xhafer Bardhi dhe Amir Bardhi po akuzohen se më 5 prill 2021 në vendin e quajtur “Zabel” në pyllin e fshatit Gradicë, për shkak të një mosmarrëveshje pronësore rreth së drejtës së shfrytëzimit të malit, me dashje të pandehurit Bardhi në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta të miturin tani të ndjerin A.M 15 vjeçar dhe prindin e tij B.M.

Aktakuzë thotë se, të njëjtit kanë vënë në rrezik dhe jetën e personave tjerë, të dëmtuarave Valdrin, Valmir dhe Driton Muja, në atë mënyrë që derisa i pandehuri Amir Bardhi ka qenë duke ecur rrugës së malit bashkë me djalin e axhës së tij, dëshmitarin Fisnik Bardhi, aty takohen me të dëmtuarin Valdrin Muja i cili ka shkuar nga mali, vendi ku ka qenë duke prerë dru, për ta marr traktorin dhe për të ngarkuar drutë të cila kanë qenë duke i prerë në mal.

Më pas, aktakuza thotë se Amiri e ka pyetur Valdrinin se çka jeni duke bërë, i njëjti i tregon se jemi duke prerë dru në mal dhe më pas i dëmtuari Valdrin vazhdon rrugën në drejtim të vendit ku kanë qenë duke prerë dru, ndërsa Amiri dhe Fisniku po ashtu ndahen.

Lexo edhe:  Aksident i rëndë trafiku në Qikatovë të Drenasit, dy persona dërgohen në QKUK

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Amiri nëpërmjet telefonit e njofton të pandehurin Xhafer se të dëmtuarit janë duke prerë dru në mal të cilët bisedojnë për 62 sekonda.

I pandehuri Xhafer i cili ka qenë në shtëpi, i merr dy drita për ndriçim të cilat vendosen në kokë, merr armën-pushkën e gjuetisë dhe nisët më veturën e tipit “Golf 2” e rrugës bëhen bashkë të dy të pandehurit dhe vazhdojnë në drejtimi të vendit ku të dëmtuarit kanë qenë duke prerë dru.

Aty, i pandehuri Amiri thuhet se ka kontribuar në kryerjen e veprës penale, duke ndriçuar me njërën për të krijuar mundësinë për gjuajte të pandehurit Xhafer, e po ashtu edhe i pandehuri Xhafer ka ndriçuar me njërën dritë dhe menjëherë ky i fundit ka shtënë me armë në drejtim të të dëmtuarit tani të ndjerit A.M i cili në atë moment bërtet “babë më rroki”.

Pastaj, kur i ndjeri B.M dhe i dëmtuari Valdrin shkojnë në drejtim të A.M për t’i dhënë ndihmë, atëherë i pandehuri Xhafer prapë shkrep dhe e qëllon tani të ndjerin B.M në kokë, ku më pas i thotë të pandehurit Amir “ikim birë se u bo m**”.

Aktakuza thotë, se në vendin e ngjarjes janë gjetur 16 gëzhoja të vogla me të cilat i kanë rrezikuar edhe të dëmtuarit Valdrin,Valmir dhe Driton Muja, të cilët kanë qenë prezent duke prerë dhe bartur dru, ku këta dy të fundit janë alivanosur pas dy të shtënave.

Gjithnjë sipas aktakuzës, për të ndjerin A.M në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Drenas konstatohet vdekja e tij, ku vdekja e tij është e dhunshme dhe ka ardhur si rrjedhojë e gjakderdhjes masive të brendshme dhe të jashtme si pasojë e veprimit dinamik të predhave të hedhura nga arma e gjuetisë.

Lexo edhe:  E rëndë: Gruaja në Prizren tenton t’i japë fund jetës së saj, dërgohet pa ndjenja në spital

Ndërsa, i ndjeri B.M pëson lëndime të rënda trupore ku më 15 prill 2021 ndërron jetë në QKUK edhe ai si pasojë e plagëve vdekjeprurëse.

Me këtë të pandehurit Bardhi akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.1, 1.5 dhe 1.11 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë të kësaj akuze, i pandehuri Xhafer në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla ka pasur në posedim armën-pushkën e gjuetisë të cilën e ka punuar vet.

E me këtë, i pandehuri Xhafer Bardhi akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.