Vetura godet këmbësoren në Ferizaj, 34-vjeçarja dërgohet për trajtim në QKUK

Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik, raporton Gazeta Sinjali.

Nuk janë të rralla as rastet kur veturat godasin këmbësorët, qoftë në vendkalime apo edhe në pjesë të tjera.

Kështu ka ndodhur sot, në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj, ku një automjet e ka goditur një këmbësore, e cila ka pësuar lëndime të rënda.

Lajmin e ka bërë të ditur një sinjalizues i Sinjalit, i cili ka thënë se bëhet fjalë për një 34-vjeçare e cila si pasojë e lëndimeve u dërgua me urgjencë në Spitalin e Ferizajt, e më pas u transferua për në QKU.

Ndërkohë në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Policia, teksa lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.

Kujtojmë se në vazhdimësi bëhet thirrje për kujdes në komunikacion, pasi rastet e aksidenteve me fatalitet nuk po kanë të ndalur dhe shkaktarët më së shpeshti janë moszbatimi i rregullave.

Lexo edhe:  Momenti kur shpërthen zjarri në Podujevë, punëtori tenton ta ndezë zjarrin me benzinë