Varësia nga droga, Policia kap me narkotikë të riun në Prishtinë

Përdorimi i substancave narkotike ka marrë përmasa shqetësuese në Kosovë. Ato po përdoren me të madhe, sidomos nga të rinjtë të cilët shpesh kapen në flagrancë nga Policia. Një rast i tillë ka ndodhur edhe sot në rrugën ‘Egnatia’ të lagjes Ulpiana në Prishtinë.

Sinjali mëson se gjatë patrullimit në një pikë kontrolli, Policia ka ndalur një person, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme. Pas kontrollit, zyrtarët policorë ia kanë gjetur një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

23-vjeçari është arrestuar dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku me vendim të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti për posedim të paautorizuar të narkotikëve.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Lexo edhe:  Kërcet grushti mes mërgimtarëve dhe Policisë në Merdar, shkak tejkalimi i kolonës