U denoncua para një muaji nga e fejuara për keqtrajtim, mërgimtari nga Gjermania arrestohet posa vjen në Kosovë

Më 30 qershor një 23-vjeçare nga Vitia, e ka raportuar për dhunë në familje të fejuarin e saj që ndodhej jashtë vendit.

E reja nga fshati Ramnishtë kishte deklaruar se i fejuari i saj po e keqtrajton, duke e kërcënuar edhe me vrasje. Policia pati nisur hetimet, por i dyshuari nuk gjendej në Kosovë. Por pas një muaji, Sinjali mëson se ai është kthyer nga Gjermania dhe ka përfunduar në prangat e Policisë.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari U.A., është shoqëruar gjatë ditës së djeshme në stacion policor, ndërkohë që në shtëpinë e tij është kryer bastisje, me urdhër të Prokurorit dhe aprovim të gjyqtarit, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Sinjali mëson se pasi është kryer kontrolli, i riu është intervistuar në Polici, ku është përballur me denoncimin kundër tij, për dhunë, kërcënime e shantazh.

Sipas të fejuarës së tij, problemet mes tyre kanë nisur që nga koha kur janë fejuar prandaj ajo kishte vendosur që të kërkojë ndihmë nga Policia. Ai po dyshohet se në mes të tjerash, në një mesazh që ia kishte dërguar viktimës, i kishte thënë “Kam me të vra ty dhe familjen”.

Prokurori i Shtetit ka vendosur që ndaj tij të vazhdojnë hetimet dhe të mblidhen prova në lidhje me rastin.

Lexo edhe:  Vushtrriasi e lë qesen me 37 mijë € mbi gomë, vëllai ia merr furgonin dhe del – paratë shpërndahen nëpër rrugë