“The Telegraph” me shkrim special se si policia e Kosovës mbron kufirin me Serbinë

Përpara se policia kosovare të fillojë patrullimin e saj në kufirin me Serbinë, ata e ngarkojnë makinën me armatim: AK-47 janë të ngjitura në pjesët e pasme të ulëseve të veturës, pistoletat i hedhin në pjesën e përparme të ulëseve, te këmbët e tyre, dhe dronët dhe jelekët antiplumb i vendosin në bagazhin e Land Rover-it.

Ky është tani protokoll standard në një nga kufijtë më të paqëndrueshëm në kontinentin evropian, raporton media prestigjioze britanike “The Telegraph”.

Kur njerëzit e pyesin Venton Elshanin, zëvendëskomandantin e policisë në veri të Kosovës, se si është situata, ai thjesht u tregon përgatitjet që bën për patrullë. “I shihni armët?”, tha ai, para se ta dërgonte ekipin e “Telegraph”-it në kufi, “këto janë për t’i mbajtur policët. Situata nuk është e mirë”.

Që kur Kosova fitoi pavarësinë nga Jugosllavia në një luftë që përfundoi në vitin 1999, në pjesën veriore të vendit, që është rajon kufitar, ka mbetur një komunitet i vogël serbësh etnikë. Tensionet me shumicën etnike shqiptare janë rritur së fundmi. Alleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë, ka lënë të kuptohet për një pushtim – nacionalistët i kërkojnë atij që të veprojë për të “mbrojtur” serbët e detyruar të jetojnë nën sundimin kosovar.

Frika e një lufte të re u rrit në vitin 2023 kur një grup i armatosur serbë sulmuan përtej kufirit në fshatin verior të Banjskës dhe u barrikaduan në manastirin e tij. Tre nga 30 militantë të dyshuar u vranë në një shkëmbim zjarri. Një nga njerëzit e komandant Elshanit humbi jetën nga shkëmbimi i zjarrit.

Që nga ajo ditë, oficeri dhe ekipi i tij kanë kryer patrulla ditore në rajonin kufitar të dominuar nga serbët, duke kërkuar rrugë të paligjshme për në Serbi të llojit të përdorur nga personat e armatosur në sulmin e tyre.

Lexo edhe:  Babai i viktimës që u vra vitin e kaluar nga vëllai i Butës: Ma ka vra të vetmin djalë, ma ka humb krejt familjen

“Ne i njohim këto rrugë më mirë se kushdo”, tha komandant Elshani për “The Telegraph” ndërsa patrulla përshkoi rrugën e saj nëpër male.

“Serbët nuk mund të bëjnë një rrugë që ne nuk do ta gjejmë”.

Në numërimin e fundit, policia identifikoi 65 rrugë të paligjshme, të cilat të gjitha janë bllokuar.

Edhe 10 rrugë të tjera mbahen nën vëzhgim të vazhdueshëm, kryesisht nëpërmjet dronëve.

Prezenca e vazhdueshme në rajonin me shumicë serbe i dërgon një mesazh Beogradit se Kosova po i mbron kufijtë e saj, tha komandanti Elshani.

“Banjska ndryshoi lojën, e vendosi lojën në një nivel tjetër për shkak të vdekjeve”, tha ai, transmeton Klankosova.tv.

“Kur gjaku derdhet, atëherë është problem”.