Thaçi kërkon sërish mbrojtje në liri: I gatshëm të krijojë “ambient burgu” në shtëpinë e tij

Ndonëse Trupi Gjykues ia vazhdoi paraburgimin pikërisht më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë, ish-presidenti Hashim Thaçi nuk po dorëzohet nga kërkesa e tij për mbrojtje në liri.

Ai ka dërguar në Gjykatë një kërkesë të re për lirim nga paraburgimi, përfshirë edhe krijimin e një “ambienti burgu” në shtëpinë e tij.

Kjo precizohet edhe në kërkesën e avokatit të Thaçit, Gregory Keohe.

“Duke vënë në dukje qëndrimin e këtij trupi gjykues se z. Thaçi nuk është rrezik ikje sipas nenit 41(6)(b)(i) të Ligjit, z.Thaçi përsërit gatishmërinë e tij të vazhdueshme për t’iu nënshtruar kushteve jashtëzakonisht kufizuese të arrestit shtëpiak. Duke propozuar që në thelb të rikrijohet mjedisi i burgut në shtëpinë e tij në mënyrë që të [REDAKTUAR], z. Thaçi përsëri propozon alternativa të arsyeshme dhe realiste ndaj burgosjes në Hagë. Këto kushte të propozuara më shumë se sa zbutin çdo rrezik të ndërhyrjes ose kryerjes së krimeve ndërkombëtare. Ato duhet të konsiderohen dhe pranohen në mënyrë kuptimplote”, thotë mbrojtja e Thaçit.

Dutje, në parashtresën e Keohes thuhet se Thaçi ka qenë vazhdimisht bashkëpunues me Gjykatën Speciale dhe se nuk qëndron argumenti i Prokurorisë për rrezikun e ikjes nga ai, apo të interferimit në proces përmes formave të ndryshme.

“Parashtresat e Prokurorisë kryesisht përsëriten dhe mbështeten në argumentet e mëparshme, por parashtrojnë se caktimi i datës së gjykimit dhe zhvillimet e tjera që tregojnë progres të qëndrueshëm do t’i japin z. Thaçi qasje të mëtejshme në informacione në lidhje me dëshmitarët e ndjeshëm dhe rastin kundër tij, duke mbështetur domosdoshmërinë dhe arsyeshmërinë e paraburgimit. Këto parashtresa nuk mund të pajtohen me dëshirën e deklaruar vazhdimisht të z. Thaçi për të bashkëpunuar me këto procedura, dhe për të mbrojtur veten kundër pretendimeve të Prokurorisë, dhe natyrës dërrmuese shfajësuese të zbulimit të Prokurorisë deri më sot. Për më tepër, përkundër faktit se z. Thaçi ka poseduar informacione të ndjeshme të dëshmitarëve përmes zbulimeve voluminoze të Prokurorisë gjatë javëve dhe muajve të fundit, Prokuroria nuk tregon një shembull konkret të frikësimit apo ngacmimit të dëshmitarit që mund të bëhet kundër tij”, thotë mbrojtja e Thaçit. /Lajmi net

Lexo edhe:  Prishtinasi përdorues i narkotikëve kërcënon me jetë nënën e moshuar: Do të vras ty dhe gjithë familjen