Tentoi ta vras dhëndrin në mënyrë dinake, kërkohet paraburgim ndaj 49-vjeçarit të dyshuar në Pejë

Më herët u raportua për tentim vrasjen që ndodhi mbrëmë në Lutogllavë të Pejës, ku i dyshuari Xhevat Berisha plagosi me armë zjarri dhëndrin e tij, për motive ende të panjohura. I dyshuari fillimisht iku nga vendi i ngjarjes, por më pas vendosi të bashkëpunojë dhe i është përgjigjur ftesës, duke u dorëzuar në Polici. Ai tashmë ndodhet në ndalim policor dhe së shpejti pritet të bëhet kërkesa për caktimin e masës së sigurisë.

Kështu ka bërë të ditur për Sinjalin zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili njoftoi se brenda afatit ligjor do të bëhet kërkesa ndaj Gjykatës.

“I dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor do të bëhet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit. Viktima ndodhet në QKUK për trajtim mjekësor, ndërkohë që hetimet po vazhdojnë për motivet e rastit”, tha Nikçi.

Sinjali pak më parë raportoi me detaje nga ky rast, që është cilësuar si “vrasje e rëndë në tentativë”.

Gjithçka dyshohet se ndodhi, në orët e mbrëmjes, në rrugën Shpati, të fshatit Lutogllavë, ku i dyshuari e kishte dërguar dhëndrin e tij. Aty, 49-vjeçari e kishte nxjerrë armën, duke gjuajtur në drejtim të viktimës dhe më pas ka ikur nga vendi i ngjarjes,

Posa Policia ka marrë informacionin për personin e plagosur, njësitet policore bashkë me autoambulancën, kanë dalë në vendin e ngjarjes, prej ku viktima është dërguar në Spitalin e Pejës. Por, për shkak të gjendjes shëndetësore, të njëjtin e kanë transferuar në QKUK, thonë burimet nga Emergjenca.

Në anën tjetër, pas një bastisje në shtëpinë e tij në këtë fshat, është gjetur një armë që dyshohet se ka qenë në posedim të të dyshuarit, teksa ky i fundit u dorëzua. Ndonëse tentoi t’iu ikë prangave, pas disa orësh ai u paraqit në Polici, ku dorëzoi edhe armën e përdorur, me ç’rast ka dhënë deklaratë mbi motivet që e kanë shtyrë ta plagos viktimën.

Lexo edhe:  Parashikimi i motit për sot dhe ditëve në vijim

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.