Tentim vrasja në Podujevë: Ky është i dyshuari që e gjuajti 36-vjeçarin disa herë me armë

Të mërkurën në mbrëmje, në fshatin Sibofc të Podujevës pati të shtëna me armë në drejtim të një veture që ishte në lëvizje dhe drejtohej nga një 36-vjeçar, i cili shpëtoi për pak, kur i dyshuari shkrepi armën e zjarrit disa herë. Rasti është cilësuar si tentim vrasje, teksa i dyshuari akoma s’është kapur, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që tashmë po kërkohet nga Policia është Endrit Zhegrova, i cili për motive akoma të panjohura, ka gjuajtur pesë herë në drejtim të viktimës.

Posa rasti është denoncuar në Polici, njësitet përkatëse kanë bërë ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes, ku janë gjetur pesë predha dhe janë marrë informacionet e para të rastit.

Sinjali mëson se viktima ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve policorë, ku ka rrëfyer në detaje se si i dyshuari ia zuri pritën dhe e gjuajti me armë teksa po lëvizte me veturën e tij, rreth orës 20:00.

Në anën tjetër, është kryer edhe bastisje në pronën e të dyshuarit, por i njëjti nuk është hasur, pasi ka ikur menjëherë pasi dyshohet se kreu veprën.

Rasti është konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia e Kosovës.

“Fsh. Sibofc, Podujevë 12.07.2023 – 19:34. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se derisa kishte qenë duke e drejtuar veturën në drejtim të tij kishte gjuajtur me armë zjarri i dyshuari mashkull kosovar. Vetura e viktimës ishte qëlluar me pesë predha në pjesën e pasme- bagazh. Njësitë relevante të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes, është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit, por nuk është gjete asgjë e dyshuar. I dyshuari nuk është hasur nga policia dhe gjendet në arrati.”

Lexo edhe:  FSK arrin në Shqipëri për ta kërkuar një shtetas të Kosovës që ra në lumin Buna