Konfiskohen dy automjete me filtra cigaresh, dyshohet se vinin nga Novi Pazari

Njësia kufitare e Policisë së Kosovës, NJNSH, ka ndaluar tri automjete të dyshuara më 12 korrik rreth orës 22:10, gjatë patrullimit në fshatin Koshtovë-Leposaviq.

Gjatë kontrollimit të automjeteve është bërë e ditur se ato janë të ngarkuara me paketa me filtër të cigareve.

Sipas deklaratave të personave të dyshuar, malli është sjellë nga një person nga Novi Pazar në Serbi, në fshatin Soqanicë-Leposaviq.

Më pas, siç ka njoftuar Policia, ata kanë ngarkuar mallin nëpër automjete për ta dërguar në Mitrovicë.

“Gjatë realizimit të kontrollit të këtyre automjeteve, është konstatuar se kanë të ngarkuar paketa me filtër të cigareve. Sipas deklaratave të personave të dyshuar, malli është sjellë nga një person prej Novi Pazarit-Serbi në fshatin Soqanicë-Leposaviq, ku më pas ata e kanë ngarkuar mallin nëpër automjete për destinim në Mitrovicë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Për të trajtuar rastin, njësitet e Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit në Leposaviq janë marrë me këtë çështje.

Prokuroria kompetente është njoftuar rreth këtij rasti, dhe me urdhër të tyre, dy nga automjetet dhe malli janë konfiskuar.

Gjithashtu, është filluar procedura e rregullt për rastin “Tregti e ndaluar”.

Lexo edhe:  “Mobilizimi i ushtrisë serbe”, KFOR: Ndërhyjmë nëse rrezikohet stabiliteti