Të shtëna me armë në Prishtinë, dikush gjuan në drejtim të 21-vjeçarit

Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr, raporton Gazeta Sinjali.

Disa të shtëna me armë janë dëgjuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në zonën industriale në Prishtinë.

Sinjali mëson se një 21-vjeçar ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se një person ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, por që ka shpëtuar pa lëndime.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme, teksa kanë gjetur një gëzhojë që dyshohet të jetë e armës që u përdor në rast.

Momentalisht nuk ka persona të dyshuar, mirëpo janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në identifikimin e tyre dhe zbardhjen e rrethanave se si ka ndodhur ngjarja.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.

Lexo edhe:  Kapet në flagrancë hajni i biçikletave në Vushtrri, arrestohet nga policia